Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç ka reaguar menjëherë pas publikimit të letrës, ku kreu i Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden, i kërkonte njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Vuçiç tha se sa i përket njohjes reciproke, nuk thuhet në asnjë akt të organizatave botërore. Sipas tij, ka pasur përpjekje për ta përfshirë në marrëveshjet e ardhshme, duke nënkuptuar takimin e shtatorit me ish-presidentin Trump.
“Njohja e ndërsjellë e Serbisë dhe Kosovës nuk qëndron në asnjë akt ndërkombëtar. Unë e kuptoj se ka një politikë të re amerikane, por përgjigja ime është e njëjta, siç ajo që dhashë në shtator po në Shtëpinë e Bardhë”, u shpreh Vuçiç.
Kjo deklaratë e tij erdhi 30 minuta pas mbërritje së letrës nga Shtëpia e Bardhë në Novi Dvor-Pallatin presidencial të Serbisë. Vuçic në një konferencë të posaçme për mediat tha se përgjigja e tij ishte dhënë më para, duke e kundërshtuar këtë kërkesë nga SHBA.
“Unë tashmë u kam thënë atyre një herë ballë për ballë se çfarë mendoj për njohjen e ndërsjellë dhe përgjigja ime nuk do të jetë ndryshe,” tha ndër të trjera ai.
Kujtojmë se mëngjesin e kësaj të diele, letra e presidentit të ri të SHBA bëri jehonë dhe në mediat serbe. Në tituj kryesorë të gazetave, ky lajm cilësohej si skandaloz.