Qeveria propozon zgjatjen e afatit të koncesionit të Rinasit nga 22 vjet në 35 vjet. Konçesioni i aeroportit të Rinasit ka kaluar zyrtarisht te “Kastrati Group”. Transaksioni mes grupit më të madh në vend dhe kompanisë kineze që zotëronte deri më tani aksionet është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku specifikohet se “Kastrati Group” tashmë disponon 100% të aksioneve të shoqërisë “Tirana International Airport”, që menaxhon konçesionin.
Sipas kontratës grupi Kastrati do të paguajë në total 71 milionë euro, të ndara në 2 këste, ku fillimisht do të bëhet një pagesë fillestare prej 15 milion euro dhe më pas një shumë prej 56 mln euro e konsideruar si shuma e mbylljes.
Për çfarë parashikohet të ndodhë me Aeroportin Ndërkombëtar ne Rinas?
Ndryshimi thelbësor është propozimi i ndryshimit që aspirohet të miratohet nëpërmjet ratifikimit. Pika 2 e marrëveshjes lidhet me listimin e ndryshimeve qe do te pesojë marreveshja koncesionare pas ratifikimit te ndryshimit te saj me ligj. Këto ndryshime konsistojnë në:
- ndryshimin e afatit të marrëveshjes koncesionare, duke e zëvendësuar afatin 22 vite me atë në 35 vite;
- shtimin në marrëveshjen fillestare të klauzoles mbi bazën e së cilës listohen detyrimet shtesë që merr përsipër shoqëria koncesionare të realizojë në kuadër të planit të saj të investimeve;
- vendosja e kushtit ligjor që shoqëria koncesionare është e detyruar të vijoje me zgjatimin e pistës së aeroportit referuar parashikimit kohor të përcaktuar mes palëve;
- zëvendësimin e terminologjisë së përdorur për aplikimin e detyrimit ekonomik të personave që kalojnë kufirin e Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikës kufitare pranë aeroportit nga “taksë kufiri në dalje” duke u zëvendësuar me “tarifa për kalimin me avion të kufirit të Republikës së Shqipërisë”;
- shtimin e një shtojce në marrëveshjen koncesionare, ku përcaktohen investimet e reja shtese që do të realizojë shoqëria koncesionare si rezultat i hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje dhe sanksionet për mospërmbushjen në kohë të tyre, me synim mundësinë e aplikimit të penaliteteve në rast të
vonesës në realizimin e tyre;
- shtimi i një neni lidhur me sigurimin e kontratës
- uljen e pagesave për shërbimet e aeroportit, pikërisht “Pagesa për pasagjerët”, e cila, pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje, do te jetë 10 (dhjete) euro për personat mbi 12 vjeç; dhe 3 (tre) euro për fëmijë nga 2 deri në 12 vjeç. Pagesa për pasagjerët do të jetë e pagueshme vetëm nga pasagjerët që largohen nga vendi”;
- riafirmimin e së drejtës së shoqërisë koncesionare për të marre kredi në institucione vendase dhe/ose të huaja financiare, me qëllim financimin e projektit,
- saktësimi lidhur me parashikimet për procedurën e miratimit të masterplanit të aeroportit, si dhe të përbërjes së Komitetit të Pavarur të Rishikimit.
/Gazetareforma.com/