Autoriteti i Konkurrencës mban fshehur vendimin për katër bankave pas hetimit njëvjeçar të kryer gjatë vitit 2020. Në datë 31 janar 2019, Autoriteti i Konkurrencës hapi hetim të thelluar ndaj Bankës Kombëtare Tregtare, Bankës Raiffeisen, Bankës Credins dhe Bankës Intesa Sanpaolo Shqipëri. Megjithëse vendimi është marrë dy muaj më parë, më datë 17 nëntor, ai ende nuk është bërë publik nga Autoriteti i Konkurrencës.
Sipas ligjit të funksionimit të AK dhe informacionit në programin e transparencës së institucionit, vendimet duhet të publikohen pas miratimit të tyre nga Komisioni i Konkurrencës. Përjashtim mund bëjnë rastet kur publikimi i vendimit për hetim mund të dëmtojë procesin hetimor, siç mund të jenë rastet e hetimeve paraprake apo inspektimeve. Në praktikë, vendimet e Autoritetit të Konkurrencës shpesh publikohen me vonesë dhe pa afate apo kritere objektive.
Vendimi
Komisioni i Konkurrencës i drejtuar nga Juliana Latifi ka marrë në fakt një vendim në favor të bankave, duke mos i ndëshkuar dhe duke vendosur disa rekomandime. Vendimi i AK është protokolluar me nr. 723, datë 17.11.2020, me lëndën “Për mbylljen, me kushte dhe detyrime, procedurën e hetimit te thelluar në sektorin bankar për Bankën Raiffeisen, Bankën Kombëtare Tregtare, Bankën Credins dhe Bankën Intesa SanPaolo. Ndërmarrjet do të monitorohen lidhur me mënyrën e zbatimit të këtij vendimi për një periudhë 1 (një) vjeçare.
Hetimi
Në vendimin final, Komisioni i Konkurrencës ka vendosur disa kushte dhe detyrime për bankat në fjalë.
Në veçanti, tregjet e produkteve në hetim ishin ato të llogarive rrjedhëse, depozita me dhe pa afat, kredia konsumatore, kredia hipotekore dhe transfertat bankare të ofruara nga bankat e nivelit të dytë. AK ka konstatuar shkallë të lartë përqendrimi në segmente të produkteve, norma shumë të ulëta dhe të ngurtësuara të interesave të depozitave, norma të larta të interesit të kredive, spread disa herë më i lartë krahasuar me normën e interesit të depozitave, komisione dhe penalitete bankare të larta për ndërrimin e bankës, komisione të larta për transfertat bankare në monedhë të huaj dhe norma të larta fitimi. Këto konkluzione motivuan hapjen e hetimit të thelluar, që përfshiu periudhën mes viteve 2016 dhe 2018.
Sipas të dhënave më të fundit, të shtatorit 2020, katër ndërmarrjet objekt hetimi zotërojnë 69% të tregut bankar shqiptar sipas totalit të aktiveve. Pjesa e katër bankave së bashku është e ngjashme edhe në tregun e depozitave, ndërsa paraqitet ndjeshëm më e ulët në tregun e kredisë, ku zotërojnë më pak se 59% të portofolit total.
Bankat funksionojnë si kartel
Shqiptarët kanë mundësi teorike të zgjedhin mes 16 bankave që operojnë në tregun shqiptar. Megjithatë, Autoriteti i Konkurrencës vëren se katër bankat më të mëdha në vend kanë pozicion dominues në shumicën e produkteve bankare dhe këtu mundësitë për të zgjedhur janë shumë të pakta për shkak se komisionet e zbatuara janë shumë të ngjashme dhe interesat e ofruara, veçanërisht për depozitat, janë gjithashtu thuajse identike.
Në veçanti, interesat e depozitave janë tashmë prej vitesh pothuajse zero ndërsa shqetësim përbën për autoritetin edhe produkti i kredisë overdraft. Një shqetësim tjetër lidhet me koston e lartë që kanë konsumatorët në rast se dëshirojnë të ndërrojnë bankë, përfshirë komisionet për mbylljen e llogarive, komisionet për mbylljen para kohe të kontratës së kredisë apo komisionet e transfertave bankare, të cilat në praktikë e pakësojnë mundësinë apo leverdishmërinë e klientit kur sheh kushte më të mira të ofruara nga një bankë tjetër.
Raiffeisen Bank, përsëritëse në hetim
Kjo është hera e dytë që Raiffeisen Bank vendoset nën hetim nga Autoriteti i Konkurrencës. Në vitin 2010, AK e hetoi këtë bankë për pozitën dominuese dhe për vendosjen e tarifave abuzivisht të larta për shërbimin e ndërmjetësimit të blerjes së borxhit publik nga qytetarët, deri në 1.2% të principalit të investuar.
Në përfundim të hetimit, banka pranoi uljen e këtij komisioni në masën 0.2%, ndërsa Autoriteti i Konkurrencës deklaroi se nuk ishte në gjendje të provonte abuzim të kësaj banke me pozicionin dominues në tregun e borxhit publik.