Arrest me burg është masa e sigurisë dhënë sot nga Gjykata e Tiranës për drejtuesin e automjetit që aksidentoi për vdekje 10 vjeçaren në Tiranë, dy ditë më parë.
Ndaj të arrestuarit Alban Guri, trupi gjykues tha se janë ngritur akuzat e aksidentit me pasojë vdekjen si edhe largim nga vendi i ngjarjes.
Ngjarja u shënua të hënën, rreth orës 12:30, në rrugën “Njazi Meka”, ku automjeti i drejtuar nga shtetasi Alban Guri, aksidentoi për vdekje të miturën me inicialet A.P. Policia tha se Guri ngiste makinën nën efektin e alkoolit.
E mitura është përplasur nga një fuoristradë e zezë, në derën e shtëpisë, e cila është ngjitur me rrugën “Ramë Sadria”. Bëhet me dije se e mitura me inicialet A.P kishte dalë nga shtëpia për të blerë diçka, bashkë me një bashkëmoshataren e saj.
Fati ka qenë tragjik për të miturën, e cila edhe pse është dërguar në spital, nuk ka mundur të jetojë.
Banorët e zonës në Allias janë shprehur se drejtuesi i fuoristradës Artan Guri pas aksidentit është larguar nga vendngjarja, por është lokalizuar më vonë dhe është ndaluar nga Policia.
Alban Guri, drejtuesi i mjetit që u përfshi në aksidentin që i mori jetën një 10-vjeçareje është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Nr.4.
Në dëshminë e tij fillestare ka treguar për se në momentin e aksidentit, e mitura ka dalë nga dera e shtëpisë dhe i ka prerë rrugën. Për pasojë, nuk ka mundur ta kontrollojë mjetin për të shmangur ngjarjen tragjike. Policia konstatoi se ai drejtonte mjetin në gjendje të dehur.
/Gazetareforma.com/