Skip to content
Të Gjitha

Dëbora mbulon juglindjen, bllokohen disa akse rrugore, në Qafë-Thanë duhen zinxhirë

· 2 min lexim

Reshjet e borës mbulojnë juglindjen e vendit duke krijuar bllokime rrugësh në disa akse. Sipas njoftimit të Prefekturës  së Korçës për situatën dhe gjendjen e rrugëve, janë të bllokuara disa komuna, ku trashësia e dëborës deri në 40 cm. Rekomandohen zinxhirët për rrotat e makinave në disa akse.

Në disa fshatra turistikë të zonës, lëvizja bëhet vetëm me zinxhirë. Edhe pse gjatë natës është punuar për pastrimin e rrugës, lëvizja me zinxhirë është e detyrueshme në Dardhë dhe Voskopojë pasi ka prezencë bore dhe akulli ende.

Edhe në Qafën e Sharrit kalimi i mjeteve bëhet me vështirësi dhe me zinxhirë. Me vështirësi lëvizet dhe në Qafë Thanë, pasi trashësia e dëborës shkon deri në 20-30 cm.

Temperaturat në zonat malore përllogariten deri në -6 gradë, ndërsa trashësia e dëborës varion nga 8 cm në 20cm.

Vazhdojnë të jenë të izoluara komuna e Dardhasit të Sipërm, po ashtu edhe zona e Panaritit, Lekasit dhe Mesmalit ku bora ka arritur nga 20 deri në 40 cm.

Ndërkohë, ka mungesë energjie në Njësinë Administrative Proptisht.

Gjatë natës është punuar për pastrimin e rrugëve dhe për kriposjen e tyre, por pavarësisht kësaj rekomandohet përdorimi i zinxhirëve dhe gomave dimërore, njofton Autoriteti  Rrugor.

Gjatë natës ka pasur reshje me intensitet të ulët në veri, në juglindje, në akset e Dajtit, në Llogara, ku është punuar me shpërndarjen e kripës dhe me mjetet borëpastruese. Qarkullimi kryhet pa probleme.

Gjatë orëve të para të mëngjesit rekomandohet që kalimi të bëhet me zinxhirë për shkak të ngricave në akset: Qafë Bualli-Krastë, Ura e Cerenecit-Klenjë, Nikollare-Strelcë, Qafë Priskë-Qafë Mollë.

Drejtuesit e mjeteve udhëzohen nga Autoriteti të tregohen të kujdesshëm, të reduktojnë shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën rrugore, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë.

/Gazetareforma.com/