Nis në Dibër seanca e parë për Dosjen 184, për të akuzuarit për blerjen e votave në zgjedhjet vendore të Dibrës në vitin 2016. Sot do të vendoset nëse dosja shkon në gjykatë apo rikthehet për hetim.
Çështja që ka tërhequr vëmendjen e të gjithë opinionit publik dhe ka përplasur palët politike prej 3 vitesh tashmë, do të marrë vulën e gjyqit. Për dosjen e famshme 184, prokuroria e Dibrës përfundoi hetimet para 1 muaji.
I pranishëm në seancë është edhe përfaqësuesi i PD-së, në rolin e kallëzuesit.
Prokurori që përfaqëson akuzën në seancë është Urim Buci. Gjyqtari është Xhevdet Lika, i cili ka vetëm një vit përvojë pune, sepse është emëruar në janarin e vitit 2020.
Kujtojmë dosja 184 vjen para gjykatës së Dibrës pas një ping-pongu të gjatë mes institucioneve të drejtësisë. Nga Krimet e Rënda, kjo dosje bëri rrugën Tiranë-Dibër për 4 herë vajtje-ardhje deri sa prokurorët aty u bindën që ishte kompetencë e tyre dhe pranuan ta hetojnë. Zgjedhjet lokale të 2016 u zhvilluan pas arrestimit të kryetarit të atëhershëm Shukri Xhelili për shkak të një skandali seksual. Në zgjedhjet e fituara nga kandidati i PS-së Agim Rama, sipas akuzës së prokurorisë, ka pasur shit-blerje votash, por personat përgjegjës s’mund të hetoheshin pasi vepra penale ishte parashkruar (u kishte kaluar afati sipas Kodit të Procedurës Penale).
Robert Aga, ish shefi policisë në vitin 2016, Drini Gjeci ish kreu Arsimit, Nuri Meda, zyrtar në Njësinë administrative Tomin, Hasan Hoti, Njësia Administrative Lurë dalin sot para gjykatës pasi Prokuroria ka kërkuar të merren të pandehur për shpërdorim detyre dhe kanosje të zgjedhësve dhe rrezikojnë të dënohen nga 1 deri në 7 vite burg. Shpërdorimi detyrës sipas nenit 248 ka një sanksion dënimi deri në 7 vite, ndërsa kanosja e zgjedhësve nga një vit deri në katër vjet heqje lirie, sipas nenit 329 të Kodit Penal.
Për të tjerët të akuzuar, mes tyre kryebashkiakun aktual të Dibrës, Dionis Imeraj, dhe shtetasit Imer Lala, Arben Keshi, Bekim Krashi, Afrim Mikli, Prokuroria e Dibrës kërkoi më 18 dhjetor pushimin e çështjes dhe tani i takon gjykatës të japë vendimin e saj, nëse do pranojë këtë hetim apo do ta rikthejë sërish në Prokurori.
Kujtojmë se PD, si kallëzuese palë e interesuar e ka ankimuar vendimin dhe kërkon të vihen përballë ligjit të gjithë persona e përgjuar në këtë dosje.
/Gazetareforma.com/