Ai që blen vota duke ofruar para apo vende pune në zgjedhjet e ardhshme do të hetohet nga Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion. Kjo kompetencë iu shtua SPAK-ut në fund të vitit të kaluar në bazë të marrëveshjes politike zgjedhore të 5 qershorit.
Pas marrjes së kompetencave, SPAK ka caktuar 5 prokurorët, të cilët do të merren me çështjen e ndryshimeve në Kodin Penal për krimet zgjedhore.
Sipas një njoftimi, prokurorët do të jenë Klodjan Braho, Sotir Kllapi, Dritan Prençi dhe Enkeleda Millonai. Mësohet se drejtuesi i këtij sektori do të jetë prokurori Edvin Kondili. SPAK do të hetojë të gjithë ata që do të kërkojnë para apo favore të tjera në këmbim të votës së tyre.
Do të jetë kompetencë e SPAK të hetojë edhe rastet kur administrata publike detyrohet që të marrë pjesë në veprimtari politike, si fushata zgjedhore. Në këtë rast dënimi është me burg nga 3 muaj deri në një vit.
Hetimi i krimeve zgjedhore nga SPAK ishte një kërkesë e PD dhe LSI, që mori dakordësinë e mazhorancës në Këshillin Politik me 5 qershor, tashmë dhe të ligjvënësve të Kuvendit të Shqipërisë.
Një tjetër ndryshim që është miratuar ka të bëjë me barrën që i ngarkohet SPAK dhe prokurorit të Përgjithshëm për të informuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për ecurinë e hetimeve, por pa cenuar sekretin hetimor.
Ndërkaq i hiqet përgjegjësia penale kujtdo që përfshihet në shitblerje vote, por tregon, pasi konsiderohet si bashkëpunëtor i drejtësisë.
Neni 328
Dhënia e shpërblimeve dhe premtimeve
Ofrimi ose dhënia e të hollave apo të mirave materiale, bërja e premtimeve për vende punë ose për favorizime të tjera në cilido formë më qëllim për të marrë firmën apo paraqitjen e kandidatit për të votuar në një mënyrë të caktuar apo për të marrë pjesë ose jo në votime, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë deri në 2 vite burg. Pranimi i të hollave, të mirave materiale, premtimeve apo favorizimeve të tjera kundër kryerjes së veprime të mësipërme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë.
Neni 328/.a
Detyrimi për pjesëmarrje në veprimtari politike
Detyrimi i shtetasve në varësi administrative, kundër vullnetit të tyre apo nën kanosjen e përdorimit të masave administrative, për të marrë pjesë në veprimtari zgjedhore të një subjekti zgjedhor përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj. Detyrimi apo organizimi për të marrë pjesë në veprimtari elektorale të një subjekti zgjedhor, i nxënësve të arsimit parauniversitar nga punonjës që kryejnë një detyrë shtetërore në arsimin publik, ose detyrë a funksion në arsimin jo publik, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga 3 muaj gjer në një vit.