Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka bërë një deklaratë të fortë, teksa ka zbuluar se është i gatshëm për të bashkëqeverisur me Vetëvendosjen pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Pavarësisht se pak muaj më parë ai ishte pro rrëzimit të Albin Kurtit me mocion mosbesimi, Mustafa është shprehur i gatshëm që të bashkonte forcat me të edhe me Kurtin kryeministër.
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa u shpreh për një television se:
“Ka njerëz që mendojnë se një qeverisje me VV është e mundshme. Një qeverisje me VV nuk është e pamundur. Ne do dëshironim ta kishim kryeministrin, por mbetemi të hapur që nesër të flasim edhe me Vetëvendosjen dhe subjekte të tjera”, tha Mustafa. Ndër të tjera ai u shpreh dhe se:
“Do doja që qeverisja LDK-VV të vazhdonte, por jemi larg besimit reciprok. Ne si LDK kemi gabuar kur kemi vendosur vija të kuqe për subjektet e tjera, pasi nuk e kemi situatën si në Tiranë ku janë dy parti të mëdha,” tha ai, duke shtuar se në Kosovë nuk merret dot shumica pasi 20 vende në parlament janë për pakicat.
“Bashkëqeverisjen e mendojmë si një çështje të bashkëpunimit në fusha që i mendojmë se janë elementare dhe shumë të rëndësishme për Kosovën”, u shpreh Mustafa.
Sa i përket çështjes së presidentit, ai tha se kjo çështje është diskutuar dhe është përpjekur të gjendet gjuha e përbashkët.
“Por nuk e kemi diskutuar me VV. Ka pasur këmbëngulje nga zoti Haradinaj që të jetë kandidat dhe që ta përkrahim”, deklaroi Mustafa.
Sipas tij, çështja e presidentit do të rishtohet për diskutim, por do jetë e vështirë gjetja e konsensusit për votim që në raundin e parë.
“Tani për tani e përjashtoj si mundësi që të jem si kandidat si president për shkak të gjendjes sime. Ne si LDK kemi kuadro që mund ta bëjnë këtë punë me përgjegjësi të plotë”, përfundoi Mustafa./Gazetareforma.com/