Gjykata Kushtetuese do të rinisi punën më 26 janar pas më shumë se tre vitesh pezullim të saj. Ndërsa pritshmëritë ishin që dosjet e para që do të shqyrtohen të jenë ato më të nxehtat, nga njoftimet e publikuara vihet re se do të shtyhen për më vonë dosjet e “nxehta”.
Në listën e aktiviteteve të Kushtetueses për 26 janar nuk shihet shqyrtimi i dosjes për zgjedhjet vendore në 30 qershor 2019 dhe dosja për prishjen e teatrit.
Gjithsesi në dy muajt e parë janar-shkurt priten të shqyrtohen shumë dosje, mes tyre edhe për çështje pronësie.
Sipas njoftimit të publikuar nga Gjykata Kushtetuese, anëtarët kanë vendosur të nisin shqyrtimin me një kërkesë të Gjykatës së Tiranës, në të cilën kërkohet shfuqizimi i papajtueshëm me Kushtetutën në Kodin e Procedurës Penale i togfjalëshit nga gjykata e shkallës së parë, e cila ka dhënë vendimin në dhomën e këshillimit. Kjo Kërkesë vjen nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
“Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i togfjalëshit nga gjykata e shkallës së parë që ka dhënë vendimin në dhomën e këshillimit”, parashikuar në pikën 1 të nenit 453 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe togfjalëshit “… i së njëjtës gjykatë”, parashikuar në pikën 3 të nenit 453 të Kodit të Procedurës Penale, të ndryshuar me ligjin nr. 35/2017”, thuhet në njoftim. Subjekte të përfshira në këtë çështje janë edhe Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli i Ministrave dhe Prokuroria e Përgjithshme.
Çështje të rëndësishme në Shkurt
Sipas njoftimit në faqen zyrtare të Kushtetueses edhe në muajin shkurt do të ketë disa cështje të rëndësishme për t’u diskutuar. Konkretisht, me 4 shkurt do të shqyrtohet kërkesa e për të shfuqizuar një pjesë të ligjit “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”. Kjo kërkesë është paraqitur nga Shoqata Kombëtare “Pronësi me Drejtësi” seancë plenare.
Për shkak të situatës dhe rregullave në fuqi të shkaktuara nga Covid-19, zhvillimi i seancës plenare do të kryhet pa praninë e publikut. “Shfuqizimin si të papajtueshëm të ligjit “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”.
Si dhe Shfuqizimin si të papajtueshëm me të VKM-së “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave” dhe VKM “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr.223, datë 23.03.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave” të ndryshuar”, thuhet në njoftim.
Dy dosjet e datës 11 shkurt
Ditën e 11 shkurtit Kushtetuesja do ta nis punën me kërkesën nga disa subjekte për rrëzim të vendimeve të marrë nga Gjykata e Apelit Tiranë.
Subjektet kërkuese paraqesin dokumente mbi të cilat pretendojnë se vendimet e marra janë kundërshtim me Kushtetutën.
“Njoftojmë se në datën 11.02.2021, ora 10.00, Gjykata Kushtetuese do të marrë në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh, kërkesën e kërkuesve F. M, A. S, E. S, me objekt: “Shfuqizimi, si të papajtueshëm vendimet datë 23.09.2015 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë; nr. 2048, datë 12.10.2016 të Gjykatës së Apelit Tiranë, datë 25.05.2017 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë.
Për subjektet e interesuara në këtë gjykim H. G Tiranë, P. G, Tiranë, D. G Tiranë, F. L,Tiranë, B. P, Tiranë, E. P, Tiranë dhe R. P Tiranë, bazuar në ligjin nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, ndryshuar me ligjin nr.99/2016, si dhe nenin 133, shkronjat “a” dhe “b” të Kodit të Procedurës Civile, duke qene se vendqëndrimi i tyre nuk është i saktë, bëjmë këtë shpallje”, thuhet në njoftim. Një tjetër seancë është parashikuar për tu zhvilluar më 11 shkurt ku është parashikuar çështja gjyqësore e një qytetari me Entin Kombëtar të Banesave./Gazetareforma.com/