Bllokohet lëvizja e automjeteve në disa akse dhe përmbyten tokat nga reshjet e shiut në Lezhë, Vlorë, Shkodër e Fushë-Krujë.
Lezhë
Reshjet e shiut kanë sjellë probleme edhe në Kallmet të Lezhës, ku kanali i ujërave të larta ka dalë nga shtrati duke përmbytur disa hektarë tokë bujqësore.
Shkodër
Gjatë natës ka pasur rritje të nivelit të ujit në shkarkimet për shkak të reshjeve në lumin Drin e Bunë.
Hidrometri në lumin Buna tregon rritjen e nivelit në 5.80 cm. Rruga e Obotit është e pakalueshme për shkak të lartësisë së ujit 60 cm.
Në fshatin Shirq në vendin e quajtur Urrela dhe Mushan uji ka përmbytur 489 hektarë tokë.
Bashkia Shkodër kërkon pajisjen e mjeteve të ushtrisë për lundrimin dhe krijimin e aksesit për banorët e Obotit.
Vlorë
Edhe në qytetin e Vlorës, reshjet e rëna gjatë 24 orëve të fundit kanë bërë që niveli i lumit Vjosë të rritet mbi 6.3 metra mbi nivelin e detit.
Si pasojë ajo ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur në këtë mënyrë një pjesë të pazarit pranë urës së Mifolit në Vlorë.
Sipas informacioneve nga banorë të zonës por edhe shtabit të Prefekturës, nëse reshjet do të pushojnë prurjet e Vjosës, nuk do jetë problem për zonën.
Por nëse reshjet vijojnë me intesitet në zonat e Përmetit dhe Gjirokastër atëherë do të kemi një rritje edhe më shumë të nivelit të Vjosës.
Elbasan
Në qarkun e Elbasanit kanë vazhduar reshjet e shiut me intensitet të ulët e mesatar. Ka vazhduar rënia e gurëve dhe inerteve në aksin Gramsh-Moglicë të cilat janë eleminuar nga firma kontraktuese, dhe ka pasur rrëshkitje të vazhdueshme të dherave në Pishkash, të aksit Elbasan-Qafë.
Fushë-Krujë
Shirat e dendura kanë bërë që lumi Ishëm të dalë përsëri nga shtrati. Situatë mjaft problematike paraqitet në fshatin Murqinë të njësisë administrative Bubq ku niveli i ujit në ara ka kaluar 50 cm.
Janë rreth 20 banesa të rrethuara nga uji në lagjen fundore të këtij fshati dhe në disa prej tyre uji ka hyrë brenda. Uji që ndodhet nëpër ara është kryesisht uji i shiut pasi kanalet nuk kanë ku të kullojnë.
Prej vitesh kjo zonë përmbytet disa herë në vit e asnjë masë nuk është marrë. Administrata e njësisë Bubq është në terren duke monitoruar situatën dhe duke i bërë apel banorëve të marrin masa për një shtim të mundshëm të nivelit të ujit.
Nëse do hapen portat shkarkuese të Bovillës situata do jetë dramatike pasi uji i Bovillës shkarkon në lumin Ishëm.
Njoftimi i Autoriteti Rrugor
Gjatë natës ka pasur reshje bore në veri të vendit, si në Dedaj-Razëm, Bajram Curri-Valbonë, grupet e punës kanë qenë në terren, rruga është e hapur dhe qarkullimi vazhdon pa problem.
Në segmentin Fushë Arrëz-Kukës dhe Kalimash-Fushë Dukagjin, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ka pasur rënie gurësh në trup të rrugës, është ndërhyrë menjëherë nga kompania e mirëmbajtjes dhe po punohet akoma qarkullimi vazhdon normalisht.
Në rajonin jugor ka pasur reshje shiu me intensitet mesatar, si pasojë ka sjellë rënie gurësh në aksin Berat-Çorovodë dhe Patos-Ballsh, është ndërhyrë menjëherë për pastrimin e rrugëve pa krijuar probleme në qarkullim
Në segmentin Qukës-Pishkash ka prurje të aluvioneve vazhdimisht. Po punohet për pastrimin e plotë të rrugës me mjete e punëtorë.
Drejtuesit e mjeteve të tregohen të kujdesshëm për shkak të lagështisë në rrugë, të reduktojnë shpejtësinë dhe të respektojnë sinjalistikën.
/Gazetareforma.com/