Ditën e djeshme Banka Botërore dhe Korporatën Ndërkombëtare të Financave (IFC), kanë publikuar një raport të ndërtuar në bazë të dhënave të një sondazhi të kryer në Shqipëri përgjatë pandemisë dhe pas heqjes së kufizimeve.
Bëhet me dije se Banka Botërore në bashkëpunim me IFC-në, kanë sjellë të dhëna konkrete për gjendjen e bizneseve në vendin tonë duke u bazuar në studim të mirëfilltë dhe sondazhe.
Sipas raportit, një pjesë e madhe e bizneseve në vend raportojnë humbje të mëdha për shkak të reduktimit të shitjeve.
Kujtojmë se kësoj parashikimesh për gjendjen e bizneseve në Ballkan dhe respektivisht në Shqipëri, janë bërë edhe më herët nga organizma ndërkombëtarë, mirëpo studimi i BB dhe IFC kësaj radhe ka servirur të dhëna konkrete.
Bazuar në këtë raport, vendi ynë ka pësuar dëmet më të mëdha në tregun e punës dhe klimën e biznesit gjatë pandemisë, ku 71% e bizneseve raportojnë rënie të xhiros ditore. Sipas këtyre të dhënave dhe këtyre parametrave, vendi ynë regjistrohet si më i dëmtuari në rajon nga pandemia.
“Covid-19 shkaktoi një bilanc marramendës për firmat shqiptare, por vendi nuk është një treg i jashtëm për sa i përket ndikimit: 71% e firmave në Shqipëri raportuan ulje të kërkesës, e cila është më pak e rëndë se në Greqi dhe Moldavi, e krahasueshme me Italinë, Gjeorgjia dhe Bullgaria, dhe më keq se Sllovenia dhe Kroacia.
Ndërsa kërkesa ra, shitjet ranë mesatarisht me 52%, e cila është e ngjashme me Moldavi, Itali dhe Gjeorgji, por më keq se në Greqi, Bullgari, Slloveni dhe Kroaci.
Edhe firma shqiptare e intervistuar në studim përjetoi një rënie të ndjeshme të shitjeve, shoqëruar me ndërprerje të zinxhirit të furnizimit në vendet që prodhojnë makineritë dhe pajisjet, duke ndikuar më tej në inventarin e firmës. Për shkak të pasigurive në rritje, firma vendosi të përmbahet nga vendosja e porosive afatgjata”, thuhet ndër të tjera në raportin e Bankës Botërore.
Sipas raportit, bizneset të cilat arritën të ruanin qëndrueshmërinë ishin ato biznese që mund të kryenin vijimësinë e punës online, gjithsesi edhe këto kategori regjistruan shkurtime në staf apo reduktime të orarit të punës.
Subvencionimi i pagave në vështirësi
Nëpërmjet këtij raporti, institucionet e vlerësojnë planin e qeverisë për të subvencionuar pagat e punonjësve në bizneset riprodhuese, por nga ana tjetër e shohin si të pamundur për t’u vënë në zbatim në këtë vit.
Ndër të tjera raporti thekson se zgjatja në kohë e pandemisë do të përkeqësojë klimën e biznesit në Shqipëri. Gjithashtu kriza e pandemisë do të vendosi në vështirësi sistemin fiskal dhe për këtë arsye qeveria do ta ketë të pamundur t’u financojë pagat.
“Sondazhi nënvizon ashpërsinë e ndikimit të pandemisë në firmat shqiptare. Mbështetja më e rëndësishme e qeverisë në nivelin e firmës duket se kanë qenë subvencionet e pagave që është një instrument efektiv për goditjet e përkohshme. Nëse kriza COVID-19 zgjatet, sigurimi i subvencioneve të mëtejshme të pagave do të jetë sfidues duke pasur parasysh hapësirën e kufizuar fiskale. Qeveria ka të ngjarë të duhet të vazhdojë të bëjë zgjedhje të vështira dhe sektori privat ka të ngjarë të duhet të bëjë rregullime të mëtejshme ndërsa pandemia vazhdon.
Përshpejtimi në dixhitalizim mund të rrisë aftësinë e firmave jo vetëm për të përballuar krizën, por edhe për të zgjeruar aksesin në tregjet e reja dhe për të rritur shitjet.
Rritja e sasisë së të dhënave dhe përvojës në mbarë botën do të ndihmojë në eksplorimin e opsioneve të tjera të politikës”, shkruhet në raport.
Sipas Bankës Botërore, në pjesën e raportit lidhur me Shqipërinë, ndikimi i pandemisë në firmat shqiptare do të përkeqësojë edhe më shumë tregun e punës.
Kriza në punësim
Referuar të dhënave të servirura në raport, si dhe raportimit të bizneseve në lidhje me stafet e tyre, Shqipëria raportohet si shteti që pësoi humbje më të larta pune, duke patur tendencë që të jetë kështu në këtë gjendje edhe për vitin 2021. Duke u bazuar në raportin e BB, gjatë pandemisë mbi 28% e bizneseve shkurtuan stafin.
“28% e firmave ulën numrin e punëtorëve të përhershëm, një pjesë shumë më e lartë se në Greqi, Itali, Moldavi dhe Kroaci.
Mesatarisht, firmat shqiptare ulin numrin e tyre të punëtorëve me kohë të plotë me 11% që është dukshëm më keq se në Greqi, Itali dhe Kroaci, megjithëse më mirë se në Gjeorgji, dhe e krahasueshme me nivelet në Slloveni, Moldavi dhe Bullgari”, thuhet në raport.
Ndër të tjera, në raport theksohet se punësimet në sektorë të ndryshëm në shtet të ndryshme gjatë pandemisë, mund të jenë nxitur apo shtyrë pjesërisht për shkak edhe të paketave ndihmëse mbështetëse të qeverive./Gazetareforma.com/