Më 16 dhjetor të vitit të cilit sapo e lamë pas, 2020-tës, me Vendim të Këshillit të Ministrave (VKM), u zyrtarizuar rritja e pagës minimale për efekt të llogaritjes së sigurimeve shoqërore nga 26 mijë lekë që ishte më parë, në 30 mijë lekë.
Ky vendim hyri në fuqi që në datën 1 janar të këtij viti që sapo ka hyrë.
Citimi i vendimit:
“Paga bazë minimale mujore, për punonjësit, në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë 30 000 (tridhjetë mijë) lekë”, thuhet në vendim.
Rritja e pagës maksimale
Ndërkohë në mënyrë progresive, pas rritjes së pagës minimale, parashikohet edhe rritja e pagës maksimale për efekt të pagimit të sigurimeve shoqërore.
Vendimi në lidhje me rritjen e pagës maksimale nuk është marrë ende, mirëpo sipas Ministrisë së Financave, paga maksimale pritet të rritet me 15%.
Duke u bazuar në këto informacione, atëherë një rritje e tillë e pagës maksimale, parashikohet që ta çojë këtë të fundit nga 114.7 mijë lekë, që është sot, në rreth 131 mijë lekë.
Rritja e pagës minimale sjell më shumë taksa!
Mirëpo si rritja e pagës minimale ashtu edhe rritja e pagës maksimale kanë edhe anën tjetër të medaljes, pra thikën me dy presa: rritjen e taksave që do të duhet të paguajnë të punësuarit e regjistruar në vend.
Në bazë të të dhënave që servir INSTAT, në vend paguhen rreth 180 mijë të punësuar me pagën minimale, të cilët të përkthyer në përqindje bëjnë rreth 27% të totalit të të punësuarve kontribuues në vend.
Në lidhje me këta punonjës, parashikohet që pagesa e sigurimeve të rritet me 1,100 lekë në muaj, pra 13.3 mijë lekë në vit.
Ndërkohë nga ana tjetër, Ministria e Financave ka llogaritur në projektbuxhetin e vitit 2021 se efekti i rritjes së pagës minimale në buxhet do të jetë rreth 3 miliardë lekë, ose rreth 24 milionë euro, ku një pjesë e kësaj shume të përllogaritur, ku përfshihet taksa për regjistrimin e biznesit përshembull apo taksat për ounonjësit, do të paguhet një pjesë nga punëdhënësit dhe një pjesë e detyrimeve përkatëse nga punonjësit.
Po ashtu vendimi për rritjen e pagës minimale mesa duket prek më pak të punësuarit. Në total përllogaritet se ka 660 mijë të punësuar me kontribute në vend, nga të cilët rreth 74% janë të sektorit privat jo bujqësor.
Nga totali i të punësuarve, rreth 30 mijë persona (ose 4.5% e totalit të përgjithshëm) marrin paga mbi 120 mijë lekë.
Për këta persona do të paguhet (nga punëdhënësi dhe punëmarrësi) maksimumi 4,500 lekë më shumë çdo muaj (54 mijë lekë ne vit) ose në total 1.2-1.6 miliardë lekë më shumë (rreth 10-13 milionë euro) për vitin 2021.
Si pasojë, nga rritja e pagës minimale dhe maksimale në 2021, punëdhënësit dhe punëmarrësit do të paguajnë në total rreth 37 milionë euro më shumë taksa mbi pagën./Gazetareforma.com/