Zbardhet dëshmia e Përparim Ademit, që vrau dy motrat Kristina Bardhi, 53 vjeç dhe Zhaneta Metanit, 45 vjeç.
DËSHMIA
Përparim Ademi (Tela) ka shfaqur pendesë për krimin e rëndë teksa ka pohuar në polici se ishte i lidhur me Zhanetën, por distancimi i saj dhe njohja me dikë tjetër duket se ka sjellë dhe vrasjen. Në dëshminë e siguruar nga gazetarja Dorjana Bezat, 59-vjeçari ka deklaruar se është i martuar, por njëkohësisht dhe kishte lidhje me 45-vjeçaren.
“Jam i martuar, por prej kohësh frekuentohem me dy motrat Kristinën dhe Zhanetën. Ato të dyja ishin të divorcuara. Kristina jetonte në Greqi dhe takoheshim rrallë ndërsa me Zhanetën kam qenë i lidhur. Ajo nisi të distancohej me mua dhe mesa kuptova kishte nisur lidhje me dikë tjetër. Shkova ta takoj t’i kërkoja llogari. Doja t’i kërcënoja, por të dyja më ofenduan dhe unë qëllova. Jam penduar për krimin”, ka deklaruar autori.
Policia në vendngjarje, tek lagjja Astir, gjeti 26 gëzhoja kallashnikovi, armë me të cilën autori kreu vrasjen. Pas krimit autori e la armën në apartament me karikator të zbrazur dhe u largua më këmbë. Dy orë nga ngjarja ai u kap pranë shkollës Vasil Shanto në Tiranë.
Policia e Tiranës ka proceduar në gjendje të lirë për moskallëzim krimi dhe një të afërm të autorit.
/Gazetareforma.com/