Reshjet mund të shkaktojnë dëme në Lezhë, ndërkohë që në Durrës ka shtëpi të përmbytura. Reshjet e dendura të shiut që vazhdojnë ende, kanë përmbytur dhjetëra shtëpi në qytetin e Durrësit.
Siç raportohet nga qyteti bregdetar, zona më problematike është ajo e ish Kënetës. Në disa banesa, niveli i ujit kalon 1 metër, ndërsa banorët shprehen se nuk po funksionon hidrovori i Porto Romanos.
Kështu, Durrësi ndodhet nën pushtetin e ujit, pothuajse në të gjitha rrugët e qytetit ka trafik, si pasojë edhe e nivelit të lartë të ujit në to. Kjo nuk është hera e parë që Durrësi përmbytet. Sa herë ka reshje shiu, qyteti bregdetar shfaq probleme të tilla.
Lezhë, paralajmërimi i bashkisë
Bashkia e Lezhës ka paralajmëruar qytetarët se priten reshje të shumta shiu, të cilat mund të vështirësojnë aktivitetet e përditshme, qarkullimin me makina, si edhe mund të sjellin përmbytje të tokave duke rrezikuar familje në zonat me rrezik të lartë.
“Bashkia Lezhë ju bën me dije se priten reshje të shumta shiu të cilat mund të vështirësojnë aktivitetet tuaja të përditshme, qarkullimin me makina, tokat e mbjella, rrugët e lagjeve, kjo edhe për shkak të punimeve që po kryhen, gjithashtu mund të rrezikojnë ndonjë familje me shtëpi në zona me risk të lartë”.
Në njoftimin e shpërndarë nga Bashkia e Lezhës thuhet se janë siguruar të gjitha mjetet e nevojshme për t’u ardhur në ndihmë sa më shpejt për çdo rast vështirësie që mund të ndodhë.
/Gazetareforma.com/