Gjithnjë e më shumë po bëhen publike rastet e dështimeve të inteligjencës ruse, në terrenin e unionit evropian.
Së fundmi, një shtetas rus me banim në Danimarkë, është akuzuar për aktivitet spiunazhi për interesa të qeverisë dhe shërbimeve ruse të inteligjencës. Institucionet shtetërore të hetimit të Danimarkës kanë bërë të ditur ngritjen e akuzave për spiunazh ndaj shtetasit rus, i cili shte ndaluar që prej fillimit të verës së këtij viti.
Dyshohet se, ky person ka grumbulluar dhe u ka dhënë përkundrejt pagesës, shërbimeve sekrete ruse informacion mbi teknologjinë energjetike daneze. Referuar ligjeve daneze, i akuzuari rrezikon deri në 6 vite burgim, por ka të ngjarë që prokuroria e vendit të kërkojë deportimin e tij.
Gjatë gjysmës së dytë të vitit 2020, janë raportuar një sërë rastesh të identifikuara dhe dyshuara spiunazhi, të organizuara apo të lidhura me shërbimet sekrete ruse, të cilat kanë patur shtrirje në disa shtete si:
Bullgaria ka dëbuar së fundmi një diplomat rus, të akuzuar për aktivitet spiunazhi që prej vitit 2017.
Ai është identifikuar si koordinues i rrjetit të spiunazhit të ngritur në këtë vend, duke zbuluar edhe bashkëpunëtorin e tij, atasheun ushtarak rus Vasiliy Sazanovich, i cili i siguronte informacionet, përkundrejt shpërblimit në të holla. Por, ky rast dëbimi, nuk është i vetmi i regjistruar gjatë këtij viti në shtetin bullgar.
Holanda po ashtu ka shpallur si të padëshirueshëm dy diplomatë rus, të dyshuar si personel të shërbimit të jashtëm të Rusisë (SVR).
Sipas raportimeve, ata ishin përqendruar dhe kishin zhvilluar aktivitet në grumbullimin e informacioneve në fushën e teknologjisë së lartë të përdorur në aplikacionet ushtarake: inteligjencë artificiale dhe nanoteknologji.
Në vitin 2018, Holanda dëboi 4 shtetas rus, nën akuzën e përpjekjeve për sulme kibernetike ndaj OPCË.
Norvegjia ka bërë të ditur se, grupe hakerësh të mbështetur nga Rusia dhe të lidhur me shërbimin ushtarak rus të inteligjencës GRU, kanë realizuar sulmin kibernetik, gjatë vjeshtës së vitit 2020, kundër parlamentit norvegjez.
Nga sulmi u prekën sisteme sensitive të korrespondencës së politikanëve dhe punonjësve të parlamentit të Norvegjisë.
Ndërkohë, më herët gjatë këtij viti, një shtetas norvegjez u arrestua pas akuzave për spiunazh industrial, për llogari të Rusisë.
Ai ishte paguar në shuma të konsiderueshme për informacionet që kishte siguruar dhe përcjellë tek një diplomat rus i atashuar në Norvegji, i cili u dëbua në gusht 2020 nga vendi.
Në fillim të vjeshtës 2020 edhe Austria dëboi një diplomat rus të dyshuar për spiunazh industrial.
Më herët, në fillim të verës së vitit 2020, po ashtu edhe Çekia shpalli një punonjës të ambasadës ruse “non grata”, nën akuzën e shpërndarjes së informacioneve false mbi planifikimin e një sulmi ndaj 3 zyrtarëve çek.
Këto përbëjnë vetëm një pjesë të rasteve dhe operacioneve të dështuara të sponsorizuara nga shteti rus, që janë zbuluar nga vendet europiane gjatë viteve të fundit, duke u shoqëruar dhe me dëbime.
Ekspozimi në detaje i përfshirje në këto aktivitete malinje, të personelit dhe lidhjeve të shërbimeve ruse të inteligjencës, është rezultat i vigjilencës së shtuar dhe masave efektive të aplikuara nga strukturat përkatëse të inteligjencës dhe sigurisë së shteteve europiane.
Rusia i përdor si instrument këto aktivitetete, jo vetëm me qëllim për të qenë prezent me çdo kusht dhe trazuar sistemet demokratike e liberale, por edhe për të përparuar në synimet e saj strategjike, në pamundësi të angazhimit në mënyrë të moralshme dhe etike në aspektin energjetik dhe ekonomik.
E thënë ndryshe, Europa nevojitet që të shmangi marrëdhëniet e bashkëpunimit me Rusinë, në fushën energjetike, ekonomike dhe jo vetëm, me qëllim për t’i kufizuar kësaj të fundit, opsionet e manipulimit dhe veprimit në prapaskenë, në dëm të sigurisë së shteteve anëtare të unionit./Gazetareforma.com/