Qeveria Shqiptare po vazhdon ende që të rrisë borxhet ndaj institucioneve ndërkombëtare me justifikimin se do të mbështesë rikuperimin ekonomik, mirëpo nga ana tjetër vazhdon që të financojë projektet me PPP.
Pas Kredive të marra nga BE, Banka Botërore (BB) dhe FMN për përballimin e krizës së shkaktuar nga pandemia, duke qenë se po shpenzohet më shumë në koncesione, qeveria Rama i ka kërkuar Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), 10 milionë euro kredi.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë BERZH, ku tregon se një bankë e nivelit të dytë në Shqipëri, do të përdorë fondet e BERZH për të kredituar Sipërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (SME) të përshtatshme për të marrë financim dhe për t’i ndihmuar ato në kalimin e sfidave të paraqitura nga kriza e Covid-19.
Mbështetja ndaj SME-ve, të cilat janë shtylla kryesore e ekonomisë në Shqipërisë, do të ndikojë në rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit në periudhën afatgjatë.
Edhe kjo vlerë është e sigurtë që do të shkojë me tepër për shlyerjen e detyrime që krijohen nga PPP-të, pasi edhe pak kohë më parë ministria e financave deklaroi se po i përdorin këto ndihma për të mbajtur nën kontroll risqet që i vijnë buxhetit nga PPP-të.
Më tej vërtetohet lehtë që qeveria paratë e marra kryesisht i shpenzon për këto projekte të panevojshme në situatën që ndodhemi nga pandemia, dhe investon shumë pak në përballimin e krizës.
Kjo duket edhe nga shpenzimet për koncesionet që vijnë çdo ditë në rritje.
Kështu referuar të dhënave të projektbuxhetit të këtij viti thuhet se, nga taksat e qytetarëve, në buxhetin 2020 mbi 14.6 miliardë lekë do të paguhen për 14 kontratat koncesionare. Aktualisht, janë aktive 13 kontrata me Partneritet Publik-Privat. Pra rriten me 16 për qind pagesat.
Qytetarët shqiptarë do të paguajnë nëpërmjet taksave të tyre në buxhetin 2020 mbi 14.6 miliardë lekë (rreth 120 milionë euro) si pagesa për 14 kontratat koncesionare me PPP.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave kjo shumë është 15.8 për qind më e lartë se pritshmëria e këtij viti.
Është e kuptueshme që fondi për PPP ka pësuar rritje për aq kohë sa Qeveria në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë financojnë miliona euro për inceneratorët, që nuk kryejnë asnjë shërbim në të mirë të qytetarëve, si dhe për koncesionet në shëndetësi që në këtë situatë pandemike kanë rritur kostot dhe burokracinë në shërbime për qytetarët
Por qeveria nuk ndalet me kaq edhe në vitin 2021, pagesat për kontratat koncesionare janë më të larta se ato për përballimin e emergjencës së krijuar pandemia. Sipas të dhënave zyrtare nga buxheti i vitit 2021, janë vënë në dispozicion të kontratave koncesionare 14.5 miliardë lekë, ndërsa për përballimin e pandemisë, 14.2 miliardë lekë.
Pavarësisht këtyre shifrave të larta që merren nga xhepi i taksapaguesve, shteti shqiptar vazhdon që të marrë kredi dhe të rrisi borxhet, që gjithashtu më vonë do të rëndojnë mbi taksapaguesit dhe do të favorizojnë koncesionarët.
Sipas një raporti të publikuar së fundmi nga FMN, Shqipëria renditet ndër vendet me borxhin më të lartë i cili rrezikon të shkojë në 88%, dhe ishte pikërisht ky borxh që e pengoi atë të jepte ndihmë në kohën e pandemisë, duke rezultuar në ndihmën më të vogël në Ballkanin Perëndimor.
Kujtojmë se për vitin e ardhshëm vlera e kontratave të PPP-ve parashikohet të shkojë në 50% të produktit të brendshëm bruto (GDP).
Ja borxhet e tjera ndaj ndërkombëtarëve:
Por siç u përmend edhe më lartë, kredia e marrë sot nuk është borxhi i vetëm që merr qeveria për të favorizuar PPP-të.
Banka Botërore ka miratuar një kredi me vlerë 80 milionë dollarë me 12 dhjetor 2020, e cila do të shërbejë si mbështetje për ekonominë dhe buxhetin e Shqipërisë pas situatës që ka krijuar tërmeti dhe pandemia e Covid.
Projekti për Financimin e Politikave Zhvillimore ka si qëllim reformat afatgjata për ndihmën ndaj bizneseve me synim hapjen e vendeve të punës dhe jo masat emergjente që janë marrë në kushtet e pandemisë.
Mirëpo më tej tregohet se, projekti shtrihet edhe në forcimin e kapaciteteve dhe transparencës së administratës tatimore, monitorimin e kontratave të Partneritetit Publik Privat dhe miratimin e një kuadri ligjor për zgjidhjen jashtë gjyqësore të kredive me probleme.
Edhe me 15 korrik të këtij viti Banka Botërore ka miratuar një natë më parë një financim prej 15 milionë Eurosh për Shqipërinë. Financimi i BB ka për qëllim që të ndihmojë vendin të parandalojë dhe të reagojë ndaj krizës nga pandemia e Covid-19, si dhe të fuqizojë sistemin kombëtar të gatishmërisë së shëndetit publik.
Borxhi është marrë sërish me të njëjtin justifikim, por nëse këto para do të shkonin vërtetë për bizneset dhe ekonominë, sot do të shihnim disa shenja rimëkëmbjeje, por përkundrazi po shkojmë çdo ditë e më shumë drejt një falimentimi që do të sillte një katastrofë ekonomike, si dhe thellimit të varfërisë ekstreme./Gazetareforma.com/