Në krye të Tirana International Airport (TIA) pritet të ndodhin ndryshime në pronësi dhe në drejtimin e kompanisë. Sipas burimeve të brendshme fliter për ardhjen së shpejti në postin e drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të Volker Wendefeuer, që do të zëvendësojë Constantin von Alvensleben.
Kandidati Wendefeuer është Zyrtari Kryesor i Operacioneve që drejton aktualisht operacionet e Aeroportit. Ai ka pasur një karrierë të jashtëzakonshme për më shumë se 50 vjet në operacionet e aeroportit. Më parë, nga 1999 në 2004, ka punuar si Shefi i Operacioneve Kryesore të Aeroportit Ndërkombëtar të Athinës në Greqi. Nga 2005, ai punoi si Zëvendës President i Lartë i Operacioneve dhe Shërbimeve Terminale në Fraport, Gjermani.
Drejtimi i kompanisë
Emërimi i menaxherit të lartë të aeroportit do të ndodhë me shumë gjasa pasi shumicën e aksioneve t’i blejë Grupi “Kastrati”. Të dyja kompanitë nuk e përgënjeshtruan sot lajmin e përhapur në media se janë në bisedime për të blerë pjesë të kompanisë kineze, “Real Fortress Private Limited”, e cila zotëron 100% të aksioneve të “Tirana International Airport”, që menaxhon koncesionin e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Grupi kinez, i shërbimeve financiare China Everbright, njoftoi në prill 2016 se kishte nënshkruar marrëveshjen për blerjen e të drejtave koncesionare në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, përmes filialit të saj “Real Fortress Private Limited”. Çmimi i shitjes së kuotave te kompania kineze ishte 82.25 milionë euro, sipas kontratës zyrtare.
Në 2019-n, Kastrati kaloi si grupi më i madh dhe për fitimet. Kompanitë kryesore të grupit “Kastrati group” (tregtim me shumicë i naftës), “Kastrati shpk” (tregtim me pakicë i naftës), “Alb-Siguracion” (sigurime) dhe Autostar Albania (tregtim dhe shërbime ndaj automjeteve) raportuan në total, një fitim prej 3.1 miliardë lekësh (25 mln euro), me rritje prej 12% me bazë vjetore. Grupi Kastrati zotëron dhe 50% të aksioneve Albanian Highway Concession, që menaxhon koncesionin e rrugës së Kombit.
Koncesioni i aeroportit të Rinasit, të paktën deri në vitin 2027. Konsorciumi Tirana International Airport (dikur Tirana Airport Partners), në vitin 2004 nënshkroi një marrëveshje koncesionare 20-vjeçare me qeverinë shqiptare për projektimin, financimin, ndërtimin, kryerjen, funksionimin, menaxhimin dhe zhvillimin e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Tiranë.
Pse u larguan gjermanët dhe më pas kinezët?
Heqja e ekskluzivitetit parashikon uljen e fitimeve. Megjithatë marrëveshja me qeverinë i dha TIA-s dy vite shtesë nga koncesioni duke çuar afatin e ri në 2027 për përfundimin e kontratës, në këmbim të hapjes së Aeroportit të Kukësit, i cili akoma është jo funksional, por po punohet për të bërë të mundur vënien në punë të tij. Në prill 2019, Qeveria miratoi kontratën për koncesionin 35-vjeçar të Aeroportit të Kukësit, ku fitues doli bashkimi i përkohshëm i kompanive Global Technical Mechanics sh.p.k. dhe Bami sh.p.k. Nëse do të hyjë në funksion edhe Aeroporti i Vlorës, tenderi i të cilës është shtyrë disa herë, TIA mund të marrë 2.5 vjet të tjera shtesë. Pra ndryshimet e shpeshta të kontratës koncesionare krijuan presionin tek investitorët e huaj dhe krijuan kushtet që në lojë të hyjë një investitor vendas, i afërt me qeverinë.
/Gazetareforma.com/