Ekonomia e Shqipërisë është në fazën më kritike të sajën, ku pas tërmeteve të vitit të kaluar dhe me pandeminë e këtij viti, duket se 2020-a do të mbyllet me bilancin më negativ historik.
Por kur të gjitha pasuritë janë dhënë me koncesion dhe qeveria ka firmosur edhe miliarda për PPP-të, të cilat janë paracaktuar për të paktën 20 vite, si dhe kur buxheti ka edhe një mal me borxhe, shteti shqiptar po planifikon edhe huamarrjen e radhës.
Sipas të dhënave që vijnë jo më prej Financave shqiptare, por prej Fondit Monetar, Shqipëria do të detyrohet të dalë në tregjet ndërkombëtare sërish, me një Eurobond relativisht të madh.
Parashikimi nuk mjaftohet me kaq, pasi institucioni ndërkombëtar projekton që në vitin 2022, të jetë dalja e radhës në tregjet ndërkombëtare e qeverisë shqiptare, për të lëshuar eurobondin me vlerë 500 milionë euro, në mënyrë që të mbulojë nevojat e mëdha për financim në kohë aspak të lehta për financat publike të vendit.
Ndërkohë, për eurobondin e vitit 2025, FMN-ja nuk jep asnjë parashikim konkret.
Eurobondi në skenarin më optimist
Mundësia që shteti shqiptar të dal në tregun ndërkombëtar deri në vitin e ardhshëm dhe të ketë mundësi që të tërheq një hua nëpërmjet eurobondit që do të hedh për shitje, sipas FMN-së, i përket skenarit më optimist.
Pra në kushtet aktuale nëse kjo do të realizohej dhe qeveria shqiptare vitin e ardhshëm apo deri në vitin 2022 do të siguronte një hua, kjo do të ishte gjëja më e “mirë”.
Në skenarin më negativ, pra në rast se pandemia dhe kriza ekonomike që e shoqëron do të përkeqësohej, Shqipëria do të kishte shumë të vështirë të dilte në tregjet ndërkombëtare, e po ashtu do të ishte i kufizuar edhe financimi nga tregu i brendshëm, nënvizon institucioni me bazë në Washington.
Pra, në rastin më të mirë, Shqipëria do të detyrohet të marrë sasi të tjera të mëdha borxhi, duke rritur për rrjedhojë borxhin publik, e duke vendosur nën presion të mëtejshëm financat publike.
Skenari pesimist
Nuk është aspak çudi, sipas FMN-së, që vende si Shqipëria nëse thellojnë krizën ekonomike të mos arrijnë as të kreditohen më nga donatorët e ndryshëm. Pra vendi të mos ketë mundësinë më që të sigurojë para.
Kjo mund të ngjas në skenarin më të keq, ku qeveria s`do ketë nga ku të marrë borxh, pasi edhe besueshmëria e instritucioneve financuese në botë do të binte për Shqipërinë, ndërkohë që kërkesa për financim do të jetë mjaft e lartë.
Kujtojmë se qeveria shqiptare gjatë këtij viti doli në tregjet ndërkombëtare me një Eurobond prej 650 mln eurosh, për të financuar pagesën e eurobondit të vjetër, prej 450 mln eurosh, pra kërkonte borxh për të shlyer borxhet.
Por kjo hua kërkohej edhe për të ndihmuar disi financat, në një kohë që vendi ishte në mes të dy krizave, asaj të tërmetit të 26 nëntorit, dhe asaj të pandemisë.
Kujtojmë se raporti i post-monitorimit të FMN-së vjen pas konsultimeve të vazhdueshme edhe me qeverinë shqiptare dhe institucionet kryesore të financave në vend.
/GazetaReforma.com/