Nuk përgjigjet për akuzën, por i sulet Sindikatës së Policisë. Pas akuzave të kreut të Sindikatës së Punonjësve të Policisë, Sadetin Fishta, se ka pasur vonesa në lidhje me pajisjen e efektivëve me veshje, duke i detyruar këto të fundit ta blejnë uniformën vetë, ka reaguar edhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj.
Në një intervistë televizive, Lleshaj është shprehur se Sindikata e Policëve nuk përfaqëson policinë. “Sindikata e policisë nuk përfaqëson policinë. Punonjësit e policisë nuk janë anëtarë të sindikatës. Nëse policët kanë ndonjë ankesë mund ta bëjnë pa problem”, tha Lleshaj.
Gjobat për maskat
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj e quajti perfekt bashkëpunimin e policisë me qytetarët, lidhur me pandeminë dhe aktin normativ të miratuar për mbajtjen e maskës me detyrim në ambiente të mbyllura dhe të hapura. Lleshaj u shpreh se ka disa qytetarë të cilët nën influencë politike shkelin aktin normativ, ndërkohë që deklaroi se gjobitja e Monika Kryemadhit, apo ish-deputetit Kastriot Islami ka ardhur edhe për shkak të impaktit që lënë veprimet e tyre.
Më tej duke folur për maskën, edhe pse në studio ishte pa të, Lleshaj tha se vetëm në shtëpi mund ta gjejmë pa maskë.
Pyetje: A keni përdorur policinë për gjoba politike?
Leshaj: Jo jo. Policia reagon ndaj rasteve që konstaton.
Gazetarja: Edhe ju keni qenë një ditë vetë në parlament pa maskë.
Leshaj: Nuk ka asnjë motiv apo qasje politike këtu. Policia ka vëmendje të shtuar ndaj personave që kanë impakt të madh publik. E kanë të pamundur të më kapin pa maskë. I vetmi vend ku mund të kapem pa maskë unë është shtëpia ime.