Aty vërtet shteti merr masa të ashpra bllokuese për liritë e qytetarëve, që t’i mbrojë nga koronavirusi, por kjo nuk mund të kuptohet pa paketa ndihmash financiare, përfitues direkt të të cilave janë qytetarët.
Bëhet fjalë për fqinjin tonë të përtej Adriatikut, Italinë, e cila sot ka përgatitur një tjetër paketë ndihme për të mbështetur bizneset e prekura nga pandemia e koronavirusit.
Mediat fqinje raportuan sot se qeveria kishte miratuar paketën e re mbështetëse për të gjitha bizneset e prekura nga kufizimet e fundit anti-Covid.
Paketa e ndihmës, që është e katërta që nga fillimi i pandemisë në Itali, ka një vlerë prej 8 miliardë eurosh dhe shtyn afatet e taksave për kompanitë në zonat që po iu nënshtrohen masave të ashpra të bllokimit.
Ajo gjithashtu ofron një shumë prej 1000 € për punëtorët në turizëm, arte, sporte, si dhe caktimin e fondeve për sektorin e konventave dhe një prani të rritur të policisë për të siguruar respektimin e masave anti-koronavirus.
Italia ishte vendi i parë evropian që u godit rëndë nga virusi. Një masë e forte izolimi për mbi 60 milionë banorët e saj vuri nën kontroll shpërthimin e parë, por, si kudo tjetër, numri i rasteve është rritur ndjeshëm në muajt e fundit, teksa e gjithë bota po përballet me valën e dytë të Covid-19.
Roma është përpjekur të shmangë një bllokim tjetër pas goditjes së parë të ekonomisë, duke u përqendruar te kufizimet rajonale, së bashku me një shtetrrethim brenda vendit gjatë orëve të natës.
Kryeministri Giuseppe Conte do të takohet sot me krerët e 20 rajoneve të vendit për të përpunuar planin e Italisë për pushimet e fundvitit, pasi ekspertët e shëndetësisë paralajmërojnë shumë festime për Krishtlindje, do mund të ndezin një valë të tretë të virusit.
“Ne jemi shumë larg nga thirrja për fitore”,- tha zv.ministri i shëndetësisë Pierpaolo Sileri.
Ai tha se, numri i njerëzve që takohen për të darkuar së bashku ka të ngjarë të jetë i kufizuar në gjashtë.
Ministria italiane e Shëndetësisë raportoi rreth 20,000 raste të reja dje dhe 541 vdekje, duke e çuar numrin e përgjithshëm në gati 55,000.
/GazetaReforma.com/