“Opozita ka shumë liderë pak programe”, kështu e përshkruan situatën e kundërshtarit politik, Mimi Kodheli. Duke folur sot për emërimin e saj si zëvendës presidente e Asamblesë Parlamentare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, gjatë një interviste televizive, tha se nuk e priste emërimin dhe u ndje shumë e surprizuar.
E pyetur se çfarë mendon për opozitën aktuale në Shqipëri, tha se i duket e përçarë dhe me disa krerë politikë.
“Është atipike situata në Shqipëri, sepse shikoj që ka shumë krerë të opozitës, janë krijuar parti të reja, segmentime të reja. Nuk ka një dakortësi mes tyre, nuk ka një ide, nuk ka program. Kjo e bënë lehtësisht të thyeshme këtë opozitë. Jo çdo lloj opozite, sepse opozitat janë vlerë e shoqërisë demokratike dhe janë shumë të vlefshme. Unë gjykoj se sot programet politike të mos ngrihet me baltën e kundërshtarëve. Duhet të riformatojmë ndryshe mënyrën e të bërit politikë”, tha Kodheli.
Lidhur me akuzat që i janë bërë kreut të PD-së Lulzim Basha për kasetën e masakrës së Krushës, Mimi Kodheli tha se nuk dëshiron të japë opinione pa fakte,
“Unë jam si Shën Thomai besoj kur shikoj dhe prek. Ka organe kopetente që duhet të merret me zbardhjen e shumë ngjarjeve dhe ndodhive e procedurave. Nuk duhet luajtur politikisht me këto akuza. Nuk është hedhur dritë aq sa duhet mendoj për këto akuza. Kjo padyshim nuk e di nëse bëhet qëllimisht apo jo, por mendoj që gjëja që ja vlen është se ne si shqiptarë të bashkuar duhet t’i kopsisnim letrat për t’i vënë pikat mbi i, pasi aty ishin faktet, aty ishin dokumentet. Për gjenocidin janë kopsitur letra të çuditshme kundër shqiptarëve, ndërkohë që ne kemi qenë viktima dhe jo agresorë”, deklaroi Kodheli.
/GazetaReforma.com/