Akademia e Shkencave merr në Mbrojtje Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, deklaratë e cila është firmosur nga disa institucione. Sipas Skënder Gjinushit, kreu i Akademisë së Shkencave, kjo deklaratë vlerëson luftën për çlirimin e Kosovës, ndërsa për Gjykatën Speciale të Hagës, ai tha se është krijuar nga qarqe të errëta.
Firmosja e deklaratës së përbashkët me rastin e përvjetorit të 23-të të daljes publike të UÇK-së
Me rastin e përvjetorit të 23-të të daljes publike të UÇK-së, institucionet përgjegjëse, me mandat të dhënë shprehimisht nga ligjet përkatëse, për të studiuar, ruajtur e administruar historinë e largët e të afërt të popullit tonë, si dhe kujtesën kolektive të materializuar në lëndën arkivore, shprehin vlerësimin për kontributin dhe rolin e pazëvendësueshëm të luftës çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës e të qytetareve të saj, në radhët e në mbështetje të UÇK-së, për fitimin e pavarësisë e si një reagim e mbrojtje e ligjshme ndaj gjenocidit serb, ndaj dëbimit, shpërnguljes e vrasjeve masive, me qëllim të spastrimit etnik të popullsisë shqiptare të Kosovës prej shtetit të Serbisë.
“Që në krijesë, rezistenca e shqiptarëve apo e kroatëve, boshnjakëve ka dashur të identifikohej me akte terroriste sepse makineria serbe, e Milloshevicit, kërkonte që palën tjetër ta kategorizonte në këtë mënyrë që të legjitimonte goditjen, krijimin e Serbisë së Madhe. Shumë e qartë se kush janë. Janë segmente të vetë shtetit serb që gjithmonë lufton që të thotë se çka bënë serbët në Kosovë bënë edhe shqiptarët. Lufta dhe rezistenca e popullit të Kosovës ka qenë për vetëmbrojtje. Një reagim normal, legjitim. Jemi institucione të kujtesës, historisë por për politikën shqiptare kemi të drejtë të mbrojmë epokat.
Siç kishte tendencë për t’u deformuar Lufta e Vlorës. I takon historisë dhe institucioneve shqiptare ta heqin këtë baltosje dhe këto tymnaja. Aq më tepër sot. Këto qasje që kanë tendenca që në emër të asaj meqenëse krime lufte kanë kryer dhe të tjerë t’i barazojnë këto me krimet e serbëve.
Komuniteti shqiptar e ka pranuar gjykatën e Hagës dhe gjithë të akuzuarit kanë shkuar para gjykatës pikërisht për të pastruar luftën e Kosovës. Gjykata e Hagës për krimet e luftës ose Dhoma Speciale është ngritur me vendim politik, me vendim të KiE-s. Është zgjidhje politike jo organ drejtësie. Është ngritur me akuzë tepër specifike”, deklaroi Gjinushi.
/GazetaReforma.com/