Ata ende po presin që shteti t’u japë një dorë edhe pse tashmë u bë një vit që janë në qiell të hapur, ose në rastin më të mirë në një tendë apo kontejner.
Mëngjesi i 26 nëntorit të një viti më parë i gjeti shqiptarët në rrugë e të panikosur për shkak të tërmetit të tmerrshëm. 51 persona ndërruan jetë të bllokuar nën rrënoja, ndërsa qindra të tjerë mbetën të plagosur e mijëra të pastrehë.
Familja më e dëmtuar nga dridhjet e tokës, ishte ajo e Albert Carës në Thumanë. Kryefamiljari është personi i vetëm që i shpëtoi rrënimit të godinës ku jetoi prej vitesh, por humbi 9 anëtarët e familjes.
Problemet e tërmetit vazhdojnë ta përndjekin vendin edhe sot, ku shumë familje ende nuk kanë një banesë, pavarësisht se qeveria shqiptare mori 1 miliardë euro donacion nga vendet e BE-së.
Madje ky problem po ecën me ritme të ngadalta sepse vendi ndodhet përpara zgjedhjeve elektorale, e për pasojë vëmendja është larguar.
Në Kurbin, ka të dhëna që fondet e siguruar nga donatorë të huaj të shkojnë për ndërtimin e banesave të njerëzve të veshur me pushtet, duke shprehur teka nga më të ndryshmet.
Duan kondicionerë në çdo dhomë dhe mobilim që të ju krijojë komoditet, ndërkohë që pjesa tjetër e njerëzve jetojnë në mëshirë të fatit, disa prej të cilëve në çadra. Ulja e temperaturave do ua vështirësojë edhe më tepër situatën këtyre fatkeqëve, pasi jetesa në çadër vë në rrezik shëndetin.
Disa ditë më parë Kryeministri ishte në një prej kantiereve të ndërtimit në Durrës, për të propaganduar se qeveria po punon që të prekurit nga tërmetit të futen në banesa të reja, ndërkohë që pa dashje nxori edhe keqmenaxhimin e kësaj situate.
Në një bashkëbisedim me banorët e një lagjeje në Durrës, Rama tha se, ende nuk ka përfunduar analiza përfundimtare e objekteve që do të vendosen t’i nënshtrohen rikonstruksionit apo do të shemben për tu rindërtuar. Kjo deklaratë tregon se qeveria po ecën me hapin e breshkës.
/Burimi: Pamfleti.al/ GazetaReforma.com/