Elbasani vijon të jetë stacioni i parë i heroinës që mbërrin nga Turqia, dhe herë pas here aty zbulohen sasi të caktuara edhe nga Policia e Shtetit.
Sot pas një operacioni antidroge të zhvilluar në këtë qytet, është zbuluar një sasi prej 5 kg heroine e pastër dhe për pasojë janë arrestuar edhe 3 persona identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur.
Deri tani nuk ka një njoftim zyrtar nga ana e Policisë së Elbasanit lidhur me operacionin, ndërsa ende nuk dihet nëse aksioni është duke vijuar për kapjen e personave të tjerë të dyshuar.
Nga sa mësohet nga burime ende të pa konfirmuara mirë nga Policia e Shtetit, sasia e heroinës së gjetur dhe sekuestruar, është kapur brenda një kamioni që vinte nga Turqia.
Burimet thanë se heroina e cila ishte e ndarë në rreth 30 pako u kap në një kamion të nisur nga Turqia që kishte si destinacion shtetin grek.
Mësohet se shoferi kishte ndaluar në Elbasan për të pushuar, pasi në këtë qytet do të bëhej pazari për çmimin e drogës. Ndërkohë që flitet për disa të arrestuar, nuk dihen detaje për identitetin e tyre.
Po ashtu, nga policia kontroll është ushtruar dhe në një automjet tjetër. Policia i ka ndaluar në vendin e quajtur ”Teleferiku” në aksin Elbasan- ish-Kombinati Metalurgjik.
Të dyja mjetet janë kontrollur dhe heroina ishte në njërin automjet. Deri tani mësohet se, ajo ishte e një grupi të organizuar kriminal teksa 4 persona ranë në pranga dhe një tjetër është në kërkim.
/GazetaReforma.com/