Gentian Sula është njeriu që ka marrë fshehurazi koncesionin e kontrollit të naftës. Bëhet fjalë për kompaninë “Noa Control” që Rama u dha koncesionin, madje ndryshoi edhe ligjin për Metrologjinë në favor të këtij koncesioni.
Sipas ekstraktit të QKR-së, shihet qartë se ortaku i vetëm i kësaj kompanie është Gentian Sula, i cili zotëron 100% të aksioneve të “Noa Control”.
Ndërkaq, Endrit Kaci është përfaqësuesi financiar, i cili bashkë me administratoren e kompanisë, Kledia Stefani, nënshkruajnë të gjitha dokumentet me natyrë financiare, transaksionet bankare në llogaritë bankare të Shoqërisë, garancitë si dhe çdo dokument tjetër me natyrë financiare.
Ish-drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve në qeverinë Rama 1. Briseida Shehaj, në A-Show me gazetarin Adi Krasta, tha se qeveria Rama në mënyrë të fshehtë dhe të jashtëligjshme ka dhënë me koncesionin shërbimin për kontrollin e naftës. Sipas Shehajt kompania që e ka marrë është ‘Noa Control shpk’.
“Unë po ju marr vetëm ligjin për metrologjinë që ktheu Presidenti në Kuvend. Nëse ka turp më të madh pas Dividentit është pikërisht ligji për Metrologjinë. Që vë në kontroll një nga sektorët me riskun më të madh në Shqipëri atë të naftës. Dhe nuk ka sesi shteti të heqë dorë nga autoriteti i tij dhe t’ja japë atë privatit siç ka ndodhur me sektorin e naftës. A e dini që qeveria Rama ia ka dhënë një kompanie me koncesion kontrollin e naftës që quhet ‘Noa Control shpk’. Dhe kjo tentativë ka nisur që në vitin 2017. Unë nuk po përmend se kush është është zotëria që e ka marrë koncesionin, se do thonë pastaj sikur po i vejmë gjobat biznesit. Por ky është një koncesion i jashtëligjshëm. Dhe thashë që kjo fillon që në vitin 2017, kur nis dëshira e parë nga qeveria për ta dhënë këtë koncesion. Në fillimi nuk donin ta jepnin këtë koncesion se ligji për Metrologjinë i jep të drejtë titullarit të institucionit të japë autorizime. Por pasi u pa nga ekspertët, i thanë qeverisë që nuk e bënë dot pasi ka një pikë në ligj ku thuhet që mund ta bëjmë ne këtë punë sepse ne kemi automjetet, dhe ishin shpenzuar 700 mijë dollarë. Ndaj edhe u ndryshua ligji për Metrologjinë. Unë mendoj që shqiptarët duhet të shohin xhepin e tyre, në një qeveri që nuk po pyet për ligje Ne nuk jemi xhungël, shteti duhet të bëjë rregullatorin,”- tha Shehaj.
Gentian Sula njihet si menaxher dhe ndërtues u vilave të oligarkëve tek Kodra e Diellit në Tiranë.