Është shuar sot si pasojë e një arresti kardiak ylli i futbollit botëror dhe atij argjentinas, legjenda Diego Armando Maradona.
Nga sa mësohet prej mediave argjentinase, ylli i futbollist pësoi një arrest kardiak pasditen e sotme dhe fatkeqësisht nuk mundi t’ja dalë duke ndërruar jetë.
Mësohet se Maradona po merrte veten pas një ndërhyrjeje kirurgjikale që kreu në kokë në fillim të këtij muaji, por shëndeti i tij është përkeqësuar.
“Gjiganti Maradona ka pësuar arrest kardiak dhe pavarësisht përpjekjes së mjekëve për ta shpëtuar, nuk ia ka dalë dot mbanë”,- ishin njoftimet e mediave nëpër botë.
Maradona ishte qetësuar për të përmbajtur simptoma tërheqjeje, sipas mjekut.
Lojtari më i madh argjentinas në histori, fitoi Kupën e Botës në vitin 1986 me kombëtaren argjentinase, kur bëri një lëvizje historike si goli i ‘dorës së Zotit’ kundër Anglisë.
Në klube, ai bëri histori si në “Boca Juniors” dhe “Napoli”, ku ishte kampioni italian dhe në UEFA. Legjenda argjentinase mbylli sytë në moshën 60-vjeçare.
Diego Armando Maradona vetëm 30 tetorin e kaluar festoi 60-vjetorin e lindjes, dhe duket se ishte ditëlindja e tij e fundit. U lind në Lanus të Buenos Aires, në një familje të varfër, si djali i vetëm pas katër motrave.
Ai u rrit profesionalisht në Argjentinë tek “Argentina Juniors” dhe më pas bëri kalimin tek “Boca Juniors”, aty ku tifozët e shohin si edhe sot ‘Zot’.
Më pas në vitin e largët 1982 Maradona kaloi tek Barcelona, Napoli, Sevilla dhe për t’u rikthyer më pas për ta mbyllur sërish tek ekipi i zemrës, Boca Juniors.
Gjithashtu ai shkëlqeu në arenën ndërkombëtare me Argjentinën që e drejtoi edhe si trajner.
Së fundmi ai ishte trajner i “Gimnasia de la Plata”, ekipi i fundit me të cilin do të kishte të bënte.
”Djaloshi i artë” nuk do të jetë më mes futbolldashësve duke lënë një thesar të paçmuar në fushë dhe përtej.
Shumë e konsiderojnë si futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave, teksa vetë ai si pasardhës të tij e konsideronte Lionel Messi-n.
/GazetaReforma.com/