Shtetrrethim për 30 ditë në Maqedoninë e Veriut. Qeveria vendosi gjatë mbledhjes së sotme të shpallë gjendjen e krizës për 30 ditë. Vendimi pritet të hyjë në fuqi nga dita e nesërme. Ky vendim vjen pas propozimit të Komitetit për menaxhim me kriza për shkak të rritjeve të rasteve me Covid-19 në vend ku në 24 orët e fundit u shënuan 26 viktima dhe 1198 të infektuar.
Rekomandimi i këtij trupi erdhi pas mbledhjes së këshillit për siguri tek presidenti Pendarovsski. Gjendja e krizës do të thotë se Qeveria ka në dispozicion njerëzit e ushtrisë, ndërmarrjeve publike komunale por edhe kapacitetet e spitaleve private.
Ditën e djeshme, Ministria e Shëndetësisë regjistroi 21 viktima. Numri i përgjithshëm i të prekurve që nga fillimi i pandemisë ka arritur bilancin e 50.015, ndërsa dukshëm ngushtohet edhe diferenca mes rasteve aktive dhe pacientëve të negativizuar. Shkupi mbetet qyteti më i rrezikuar me numrin më të madh të rasteve aktive, incidencën dhe mortalitetin më të lartë. Ndërkohë qyteti i Tetovës, Gostivarit, Prilepit dhe Kumanovës gjithashtu janë kategorizuar si qytetet, në të cilët transmetimi i virusit është në rritje të vazhdueshme si pasojë e vatrave jashtë kontrollit.
Merret vendim për shpalljen e gjendjes së krizës
Duke patur parasysh gjendjen gjithnjë e më serioze me numrin gjithnjë në rritje të të prekurve me virusin COVID-19, Këshilli i Sigurisë Kombëtare, të cilin e udhëheq presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, ka marrë vendim që t’i propozohet qeverisë që të shpallë gjendje të krizës në të gjithë territorin e shtetit për një periudhë prej 30 ditësh.
“Në seancën e Këshillit të Sigurisë, debatuam për gjendjen me COVID-19. Situata është serioze, gjendja është shumë më e keqe se sa gjatë valës së pranverës. Në këtë drejtim pas një debati ku morën pjesë të gjithë, Këshilli i Sigurisë vendosi që t’i propozojë qeverisë që të shpallë gjendje të krizës, në afat prej 30 ditëve në territorin e të gjithë shtetit”, deklaroi Stevo Pendarovski president i RMV-së..
Zaev: Nuk përjashtohet mundësia për një mbylljeje të re
“Nuk përjashtohet mundësia për “lockdoën” ose orë policore, por për momentin nuk po shqyrtohet kjo mundësi. E dini se kjo është nën kompetenca të Komisionit për sëmundje infektive. Detyra ime është të informoj qytetarët që gjendja e krizës nuk ka lidhje me orën policore”, deklaroi kryeministri Zaev.
/GazetaReforma.com/