Marrëveshja historike e emrit të Maqedonisë u zgjidh, pas një konflikti 27 vjeçar, me kapërcimin e pengesës së fundit, votimit në parlamentin grek dhe dritës jeshile të dhënë atje ujdisë që sërish nuk pranohet nga gati 2/3 e grekëve.
Deri në mbrëmjen përpara votimit, jashtë ndërtesës së parlamentit pati përleshje të dhunshme e turma lëshoi fishekzjarre dhe flakadanë, duke lënë kështu të kuptohet se çfarë niveli pakënaqësie ka mes popullatës për atë që politika e sheh si arritje historike.
Sondazhet tregojnë se kryeministri grek do t’i humbasë zgjedhjet e këtij viti. Arsyeja e një kundërshtie kaq të madhe në popull është provinca më të njëjtin emër në veri të shtetit Helen. Grekët kanë një krenari gati të egër për trashëgiminë e Aleksandrit të Madh dhe të atit, Filipit të dytë, dhe në të gjithë këtë ngërç, janë gërryer nga dyshimi i ambicieve të mundshme territoriale të vendit fqinj.
Por tani që pakti e mori dritën jeshile të Parlamentit grek, çfarë ndodh me Maqedoninë? Ajo do të bëhet Republika e Maqedonisë së Veriut pas rreth dy javësh, kur sipas procedurës, marrëveshja e Prespës duhet të hyjë në fuqi.
Presidenti grek duhet t’i vërë firmën e tij ligjit për ratifikimin e marrëveshjes së Prespës e ai të botohet në fletoren zyrtare.
Publikimi do të bëhet të hënën, në 28 janar, dhe më këtë ligji bëhet zyrtar.
Më tej, Athinës do t’i duhet të njoftojë sekretarin e Përgjithshëm të Nato-s se pakti është ratifikuar; ndryshimi i emrit do të bëhet përfundimtar pasi ambasadorët e Aleancës Veriatlantike të kenë firmosur në Bruksel anëtarësimin e saj dhe parlamenti grek ta nënshkruajë atë protokoll.
Greqisë do t’i kërkohet po ashtu të mbështesë dhe përpjekjet maqedonase për aderim në BE. Shkupit nga ana e tij, do t’i duhet të dërgojë shënim në Greqi dhe në OKB se marreveshja hyn në fuqi.
Pas pranimit zyrtar të emrit, zyrat e deritanishme për lidhje me Shkupin dhe Athinën do të shndërrohen në ambasada.
Një prej pikave më ambicioze të ujdisë është dhe krijimi brenda një muaji i një “komisioni të përbashkët ndërdisiplinor ekspertësh“, i cili do të verifikojë nëse tekstet shkollore, harta dhe atlaset historike duhen rishikuar gjithashtu në të dy vendet.