Ish kryetari i SHISH-it dhe ish-këshilltar i Presidentit Meta për Çështjet e Sigurisë Kombëtare, Bahri Shaqiri, do të kandidojë pë deputet në Shijak. Këtë sfidë, Shaqiri e shfaqi sot në një intervistë televizive.
“Kam vendosur të testoj veten time në një sfidë të re, që nuk përputhej me statusin tim. Të përfaqësoj komunitetin e Shijakut në zgjedhjet e ardhshme. Jo vetëm kaq, por t’i shërbej këtij komuniteti të mrekullueshëm, që meriton një të ardhme shumë më të mirë”, deklaroi Shaqiri.
Ai tregon se ka qenë vetë komuniteti në Shijak që i ka kërkuar të kandidojë për LSI-në, “Në fakt nxitja erdhi si propozim nga përfaqësues të këtij komuniteti, të cilin e vizitova disa herë pas dy tërmeteve të fuqishme që tronditën, jo vetëm banesat e tyre, por edhe mirëqenien dhe sigurinë e tyre. Po kështu edhe origjina ime ka rolin e saj në këtë angazhim të ri. Besoj se hapësirën më të mirë për të qenë vetvetja e shoh te Lëvizja Socialiste për Integrim, me të cilën kam patur një eksperiencë të shkurtër dhe më parë”, deklaron Shaqiri.
Ai shtoi se “Motivi im kryesor është të përfaqësoj komunitetin e Shijakut. Natyrisht, që ky kontribut i shtohet të gjithë Qarkut të Durrësit. Por LSI në Durrës nuk fillon me angazhimin tim politik, përkundrazi”. Shaqiri saktësoi se synon të jetë “një kontribut i shtuar i një ekipi fitues dhe mbi të gjitha të kontribuoj për të ndryshuar faqen e Shijakut, që ka aq shumë resurse për zhvillim. Mbi të gjitha të përfaqësoj qytetarët patriotë dhe punëtorë me vlera të jashtëzakonshme të Shijakut”.
/GazetaReforma.com/