Bllokohet fabrika e vetme shqiptare e prodhimit të fishekzjarrëve, e certifikuar sipas standardeve të BE-së. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i ka vënë shiritin e bllokimit fabrikës ARPI sh.p.k. në Vorë dhe ka lënë prej dy vjetësh pa punë 120 punonjës. Pronari i këtij biznesi dhe punonjësit e drejtojnë gishtin tek Sandër Lleshaj: ka nxjerrë një urdhër të jashtëligjshëm për bllokimin e fabrikës, kur ajo nuk prodhon për tregun shqiptar, por për atë evropian.
Pëllumbi: Urdhri i Lleshajt na ka shkaktuar dëme
“Fabrika jonë e fishekzjarrëve shpërndan prodhimet e saj në 21 gjuhë të Europës, eksporti më i famshëm që ka nxjerrë Shqipëria në këto vite. Qindra familje të papunë, qindra tonelata të prodhimit ‘Made in Albania’ i janë mohuar tregut europian, miliona taksa të munguara arkës së shtetit e miliona euro dëmshpërblim paguar shoqërive italiane, belge, bullgare, polake, spanjolle etj., që janë me kontratë furnizimi me fabrikën”, deklaron pronari i kompanisë ARPI, Pjetër Pëllumbi.
Ish-sportisti Pëllumbi, i njohur si rekordmen, u kthye nga emigracioni dhe para 15 vitesh hapi këtë biznes të suksesshëm. Por vitet e fundit është ndeshur me zyrtarët që i bëjnë presion me mbyllje. Tashmë, i zhgënjyer nga ky raport me administratën e vendit të tij, Pëllumbi është në tratativa për ta transferuar biznesin jashtë Shqipërisë.
Fabrika e fishekzjarrëve ARPI, me seli në fshatin Kuç të Vorës, është e vetmja në Shqipëri e certifikuar nga Autoriteti i BE-së, universiteti i Madridit që është përgjegjësi ligjor i teknologjisë së prodhimit, është mbyllur me urdhrin nr. 661, dt. 13. 12. 2018, në kundërshtim me ligjin nr. 9126, por edhe me standardet e BE-së dhe licencën e prodhimit, lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes, Autoriteti i Eksporteve AKSHE.
Ministria e Mbrojtjes nga ana e saj e ka korrigjuar gabimin e këtij urdhri, duke i kërkuar disa herë me shkresa ministrit të Brendshëm, zotit Sandër Lleshi, të firmosë anulimin e tij.
Jo vetëm kaq, po ministri Lleshaj ka dërguar herë pas here policinë në këtë fabrikë duke terrorizuar punonjësit. Madje ministri ka bërë edhe një kallëzim penal vitin e kaluar për shkelje të urdhrit për përdorimit të lëndëve piroteknike nga kjo fabrikë.
“Punojmë sipas standardeve të BE-së”
“Lëndët që përdoren nga ne janë kompetencë e Autoritetit të Këshillit të Europës e kontrollohen nga Autoriteti i Eksporteve AKSHE i Ministrisë së Mbrojtjes në bazë të ligjit nr. 9126 të Republikës së Shqipërisë. Licenca e prodhimit lëshohet në bazë të kartave teknologjike të BE-së, ku përcaktohen sipas standardeve edhe lëndët kimike që duhet të përdoren me detyrim në prodhim. Me kërkesë të shoqërisë ARPI, autoriteti certifikues i Këshillit të Europës LOM i Madridit, përgjegjës ligjor i prodhimit, me shkresën TLM/pg, dt. 14 maj 2019, deklaron se të gjitha prodhimet e fabrikës ARPI janë konform me standardet ndërkombëtare. Vetëm me standardin e Lleshajt nuk përputhen prodhimet tona. Për më tepër, fabrika punon për tregun evropian, jo atë të brendshëm, që kujdeset ministri Lleshaj”, shpjegon Pëllumbi mbi përplasjen me ministrin.
Letrat për dy ministrat
“Na lejoni zbatimin e ligjit të Republikës së Shqipërisë dhe standardet e Bashkimit Europian”, shkruajnë punonjësit e fabrikës në një letër dërguar ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Më dt. 08.06.2020 i kemi kërkuar takim urgjent ministres së Mbrojtjes, znj. Olta Xhaçka, dhe me dt. 09.06.2020 ministrit të Brendshëm, zotit Sandër Lleshaj.
“Kërkesë kjo urgjente për të sqaruar nga afër situatën e mjeruar ekonomike që na keni katandisur me veprimet tuaja të jashtëligjshme, na keni hequr bukën e gojës së fëmijëve tanë, kur ju zotërinj ministra i ushqeni fëmijët tuaj”, shprehen punonjësit.
“Në Ministrinë e Brendshme, ne “rreckamanët punëtorë” gjetëm një përbuzje të paimagjinuar nga njerëzit me kollare. Edhe Sekretari i Përgjithshëm, zoti Plarent Ndreca, që e takuam rastësisht në hyrje të Ministrisë, ishte fare indiferent e pa interes dhe na pa sikur të ishim bagëti”, tregojnë punonjësit.
“Në Ministrinë e Mbrojtjes, drejtori i Inspektimit, zoti Leonard Kollçaku, na sorollati plot tri javë me gënjeshtra, me fjalë të bukura si: “Ju kuptojmë, keni të drejtë, jeni me ligjin. Ja, nesër mund t’jua lëshojmë lejen” etj., etj., një skandal i vërtetë!”, punonjësit tregojnë se si i kanë përcjellë në këto dy ministri.
Ata kërkojmë në mënyrë urgjente të fillojnë punë, kërkojnë përgjigje publikisht nga Lleshaj. Sipas tyre, urdhri i Lleshajt për ndalimin e lëndëve piroteknike nuk ka lidhje me fabrikën, pasi ajo prodhon për vetëm për eksport.
Në Ministrinë e Mbrojtjes si në Autoritetin AKSHE ju thonë se pritet vetëm një firmë e Ministrit Lleshaj.
/GazetaReforma.com/