Policia e Shtetit dhe në veçanti Policia Rrugore në Tiranë kanë nisur dy ditët e fundit një aksion duke inspektuar jo vetëm rrugët kryesore, por edhe rrugicat më të izoluara të lagjeve.
Qëllimi ka qenë vendosja e sa më shumë gjobave, edhe ndaj atyre që okupojnë hapësira publike, por edhe ndaj qytetarëve që parkojnë në oborret e lagjeve.
Këto veprime, Policia Rrugore i ka justifikuar me aksionin për të disiplinuar trafikun, duke shmangur pengesat dhe parandalimin e aksidenteve.
Policia thotë se, çdo ditë po vendos një numër të konsiderueshëm masash administrative (gjobash), por sërish ka neglizhencë nga shoferët.
Sipas njoftimit zyrtar, shumë përdorues automjetesh nuk respektojnë normat e sjelljeve për pushim dhe qëndrim të mjeteve, duke shkaktuar trafik dhe rrezik për aksidente.
Po ashtu, Policia thekson se, këta përdorues bëhen pengesë serioze për mjetet e emergjencave mjekësore në veçanti, që janë të angazhuara me pandeminë.
Por nga ana tjetër, shumë qytetarë janë ankuar se gjobat u janë vendosur edhe nëpër rrugë dhe rrugica, ku parkimet janë të lejueshme, ose ku ka mungesë tabelash dhe sinjalestike rrugore.
Madje nuk janë të pakta rastet edhe kur në parkime ose sheshe lagjesh, banorëve residentë u vendosen gjoba të pajustifikuara si nga Policia Rrugore ashtu edhe nga ajo Bashkiake.
Njoftimi nga Policia Rrugore
“Tiranë
Kontrolle të dedikuara në të gjitha rrugët e kryeqytetit, për të disiplinuar mënyrën e pushimit dhe qëndrimit të mjeteve, me qëllim shmangien e pengesave në trafik dhe parandalimin e ngjarjeve rrugore që vijnë si rezultat i manovrave të detyruara, për të kaluar mjetet e pushuara në rrugë apo në rresht të dytë.
Me gjithë punën dhe angazhimin e shtuar në ketë drejtim, numrin e konsiderueshëm të masave administrative që vendosen çdo ditë për këto shkelje, përsëri shumë përdorues mjetesh manifestojnë neglizhencë të theksuar në raport me normat e sjelljes për pushimin dhe qëndrimin e mjeteve, ku përveç se shkaktojnë trafik dhe rrezik për aksidente rrugore në tërësi, bëhen pengesë serioze për mjetet e emergjencave mjekësore në veçanti, të cilat konstatohen çdo dite e më shpesh për shkak të dinamikës së madhe që përballojnë në këtë situatë”.
/GazetaReforma.com/