Mundësinë për një mbyllje të dytë të vendit të detyruar nga pandemia e koronavirusit, përveç ekspertëve të ekonomisë e shikon si të rrezikshëm edhe Banka e Shqipërisë.
Kjo e fundit, në analizën e saj mbi gjendjen ekonomike të vendit, gjatë mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, ka marrë në konsideratë edhe masat mbyllëse dhe pasojat që mund të sjellin ato.
Keqësimi i gjendjes epidemiologjike në vend dhe masat e mundshme kufizuese, sipas BSH-së, mund të cenojnë përmirësimin e shënuar nga ekonomia gjatë sezonit veror.
Zv.guvernatorja e parë e BSH-së, Luljeta Minxhozi, tha se, masat e reja për kufizimin e pandemisë janë ndër rreziqet kryesore, me të cilat përballet rimëkëmbja e ekonomisë shqiptare.
“Informacioni i marrë në analizë tregon se aktiviteti ekonomik ka ardhur në përmirësim gjatë muajve të verës, pas rënies së fortë të shënuar në tremujorin e dytë. Ky rikuperim pasqyroi lehtësimin e masave të distancimit social dhe mbështetjen e siguruar nga stimuli i gjithanshëm fiskal, monetar e makroprudencial.
Megjithatë, pavarësisht tendencave pozitive, perspektiva e rikuperimit të ekonomisë në të ardhmen mbetet ende e brishtë.
Vala e re e infektimeve dhe prezantimi i masave kufizuese në shumë vende, e potencialisht dhe në Shqipëri, paraqesin sfida serioze për shëndetin publik dhe për ecurinë e ekonomisë gjatë periudhës në vijim”,- tha zonja Minxhozi.
Sipas saj, përmasat e ndikimit të pandemisë në ekonomi do të varen shumë nga shkalla dhe kohëzgjatja e masave të mundshme për kufizimin e përhapjes së saj.
Veç ndikimit të masave kufizuese, rreziqet për ekonominë burojnë edhe nga shkalla e dëmtimit të kapaciteteve prodhuese, dhe mundësia e një rikuperimi më të ngadaltë të kërkesës së brendshme dhe asaj të huaj, si edhe nga lindja e vështirësive në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare, në formën e rritjes së normave të interesit dhe kostove të financimit të sektorit privat, në formën e rritjes së ngadaltë të kredisë bankare, apo në formën e luhatjeve të forta të treguesve të tjerë të tregut financiar.
Për momentin, skenar bazë i zhvillimeve të pritura nga Banka e Shqipërisë është ndërtuar mbi supozimin e shmangies së masave ekstreme për kontrollin e përhapjes së një vale të dytë të pandemisë dhe reduktimin gradual të pasojave të saj.
Në këtë skenar, ekonomia shqiptare pritet të shënojë një rënie të ndjeshme për vitin 2020 dhe norma relativisht të shpejta dhe të qëndrueshme rritjeje në vijim. Inflacioni pritet të qëndrojë pranë niveleve aktuale në vitin në vazhdim, ndërsa rikthimi i aktivitetit ekonomik pranë potencialit do të krijojë kushtet për kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022.
BSH-ja theksoi edhe njëherë nevojën që normalizimi i situatës duhet të vijojë të mbështetet nga një kah stimulues i politikave ekonomike, duke nënkuptuar nevojën për të vijuar me stimulin fiskal dhe atë monetar.
Minxhozi tha se, tregjet financiare kanë reaguar pozitivisht ndaj masave të marra dhe transmetimi i stimulit monetar në ekonomi ka qenë i plotë.
/GazetaReforma.com/