Ligji për masat kundër dhunës në familje ka pësuar sërish ndryshime. Në ndryshime e reja parashikohet se burrat që dhunojnë gratë do të dëbohen menjëherë nga banesat e tyre të përbashkëta.
Bëhet me dije se ky ligj do të hyjë në fuqi prej datës 18 nëntor të vitit 2020. Ndërkohë Gjykata, si masë mbrojtëse të dhunës në familje, me ndryshimin e ri të ligjit, parashikon urdhërimin e menjëhershëm të largimit të dhunuesit nga banesa për një afat kohor të caktuar, në situatat kur viktima dhe dhunuesi banojnë në të njëjtën strehë.
Në vendosjen e kësaj mase, Gjykata mund të marri në konsideratë nevojat e veçanta të dhunuesit të mitur, të moshuar ose personit me aftësi të kufizuar dhe në këto raste urdhri i largimit nga banesa vendoset vetëm kur asnjë masë tjetër nuk garanton mbrojtjen e viktimës nga dhuna.
Sipas ligjit të mëparshëm, burrat qëndronin në banesë deri në vendimin e gjykatës, kohë në të cilën vijonte sërish dhuna.
Ndryshimet ligjore parashikojnë që në urdhrin e mbrojtjes, të lëshuar me vendim gjykate, dhunuesi detyrohet të marrë pjesë në programe rehabilitimi psikosociale ose në programe të aftësimit prindëror, të organizuara nga subjekte publike ose private./GazetaReforma.com/