Qytetarët e Tiranës dhe të disa bashkive të tjera në vend, duket se vitin që vjen, do të përballen me tarifa të reja të çmimit të furnizimit me ujë të pijshëm nga ndërmarrjet e ujësjellësve, i cili do të jetë më i lartë se i tanishmi.
Disa njësi të pushtetit vendor mësohet se kanë nisur aplikimet e para pranë Entit Rregullator të Ujit, të shoqëruara edhe me plan-bizneset ku justifikojnë investimet që po kryejnë ose kanë kryer.
Por në shumë qytete të vendit, qytetarët njëkohësisht taksapagues, ankohen në lidhje me furnizimin me ujë të pijshëm nga ana e bashkive, në një kohë që për cilësinë e ujit as që bëhet fjalë.
Ajo (cilësia e ujit) është gjëja e fundit që merret në diskutim nga ana e bashkive, në një kohë që duhet të ishte e para, pasi në qytete si Durrësi, Elbasani, Lushnja, Fieri, Lezha dhe Tirana, si dhe bashki të tjera më të vogla, as që bëhet fjalë që uji i rubinetit të jetë i pijshëm.
Në shumë qytete të vendit, përfshi edhe Tiranën, ku ka një rekord të pagesave të faturave të ujit të pijshëm, ky i fundit është pikërisht i pa pijshëm, dhe qytetarëve u duhet që përveç faturës së ujësjellësit, të harxhojnë edhe dy tre fish më tepër për ujin e pijshëm që e blejnë.
Por ndërkohë, ndërmarrje si Ujësjellës-kanalizimet e Tiranës, apo të tjera, që janë në varësi të bashkive, nuk e pranojnë faktin se uji që sjellin në rubinet është i pa pijshëm.
Madje në bashki si e Tiranës, kjo e fundit ka hequr nga qarkullimi dhe ka pezulluar edhe aktivitetin e subjekteve private që tregtonin ujë të pijshëm me autobote.
Justifikimi i rritjes së çmimit me investime
Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës (UKT), e cila është në varësi direkte të Bashkisë Tiranë, ka njoftuar se do të ketë një plan të ri biznesi për periudhën 2020-2024, i cili bazohet në investimet e reja të cilat duhet të kryhen në funksion të zhvillimit që merr kryeqyteti, dhe që përkthehen në rritje tarife me të cilën faturohet uji për familjet.
Në një sqarim të bërë tek dokumentet e UKT-së, ku po kërkohet konsulenti që do të hartojë këtë plan biznesi, nënvizohet se, Plani i Biznesit duhet të përfshijë një analizë të detajuar të kushteve aktuale të operimit të shoqërisë, duke vlerësuar të ardhurat aktuale dhe ato të parashikuara, si dhe shpenzimet e operimit dhe të mirëmbajtjes së Shoqërisë të projektuara në pesë vite.
Ky plan biznes parashikon edhe reduktimin e ujit pa të ardhura, rritjen e përqindjes së mbledhjes së faturave, reduktimin e shpenzimeve për energjinë elektrike, si dhe përmirësimin e mirëmbajtjes së sistemeve.
Shoqëria e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, ka saktësuar se: “Konsulenti do të punojë mbi planin ekzistues të hartuar në vitin 2017 dhe do të ketë fokus në 11 drejtime”.
Konsulenti do të mbajë parasysh popullsinë në zonën e shërbimit dhe popullsinë e shërbyer, kërkesën aktuale për ujë dhe kërkesa për frymë, përcaktimin real të kërkesës aktuale për ujë, sipas kategorive të konsumatorëve, ujin pa të ardhura apo bilancin e tij.
Po kështu do të vlerësohet niveli optimal i personelit. Kujtojmë këtu që nga Enti Rregullator i Ujit në shumë raste shoqëritë e ujësjellësve janë cilësuar se punojnë më shumë personel sesa kanë nevojë, në disa raste edhe mbështetës partiakë.
Lidhur me investimet do të shihen mundësitë se, ku duhet të bëhen shpenzimet kapitale, duke pasur parasysh nevojën dhe zgjerimin që merr kryeqyteti.
Tarifimi i ujit
Në janar të vitit 2018, ndërmarrja e UKT-së, e rriti çmimin e ujit të pijshëm me 65 lekë/m3 nga 45 lekë për m3, që ishte më parë, ose 44% më i shtrenjtë.
Një element tjetër që do të shihet në planin e biznesit ka të bëjë me përcaktimin e nevojës për të ardhura që ka UKT, si dhe politika dhe strategjia e përcaktimit të tarifave.
Për këtë të fundit do të kalojnë në analizë tarifat e kombinuara (fikse dhe volumetrike), tarifat aforfe (për klientët pa ujëmatës), llogaritja e tarifës mesatare, si dhe parashikimi i strukturës së tarifave për periudhat e ardhshme.
Bilanci i UKT-së për 2019-n
Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, ka raportuar 4.3 miliardë lekë (rreth 35 mln euro) të ardhura në vitin 2019, sipas bilancit zyrtar.
Ndryshe nga 2018-a, kur arkëtimet u rritën me 38% me bazë vjetore, si rrjedhojë e shtrenjtimit të tarifave më 44%, në 2019-n të ardhurat e raportuara shënuan një rënie të lehtë me 1.9%.
Fitimet para taksave të kompanisë ishin 1.1 miliardë lekë, ose gati 8.6 milionë euro. Norma e fitimit para taksave ishte 25%, më e lartë sesa mesatarja e fitimeve në vend që është rreth 8%, sipas të dhënave të INSTAT, që i referohen vitit 2018.
Në krahasim me 2018-n, fitimet para taksave ranë me 16%. Një vit më parë (në 2018-n) ujësjellësi arriti fitime rekord prej 1.2 miliardë lekësh, në dyfishim nga 2017-a, si rrjedhojë e shtrenjtimit të tarifave.
Humbjet e ujit ishin 60.3%. Sipas raportit vjetor 2019, humbja në rrjet vjen nga mos faturimi i ujit të prodhuar për arsyet si më poshtë vijon:
– Lidhjeve të paligjshme në linjat e transmetimit.
– Rrjedhjeve në rrjetin shpërndarës.
– Riparimeve të kryera në linjat e transmetimit ose në rrjetin shpërndarës.
Sipas raportit, investimet në vitin 2019 ishin 2.4 miliardë lekë, ose 90% e planit, pjesa më e madhe e të cilave janë realizuar përmes kredisë së dhënë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Investimi më i madh ishte asistenca dhe rehabilitim i rrjetit hidrik prej 790 milionë lekësh, i realizuar nga kompania “Vuthaj”.
Shpenzimet e personelit ishin rreth 1 miliard lekë, pothuajse njësoj sa viti i mëparshëm, duke përbërë rreth 30% të shpenzimeve totale.
Pushteti vendor, taksat do të rriten me 20 milionë euro më shumë
Dy ditë më parë “Gazeta Reforma” publikoi të dhënat për rritjen e takzave dhe tatimeve për vitin e ardhshëm të paktën deri në 7%, kjo e pasqyruar në projekt-buxhetin e Ministrisë së Financave për vitin 2021.
Por qytetarët dhe bizneset do të përballen me rritje taksash vitin që vjen edhe në shërbimet bashkiake.
Sipas planit të qeverisë, pushteti vendor, duhet të gjenerojë 25.4 miliardë lekë të ardhura në vitin 2021. Kjo shumë planifikohet të jetë 2,3 miliardë lekë më e lartë se plani, në aktin normativ në fuqi të këtij viti, ose 10.3% më e lartë.
Për 8-mujorin e vitit 2020, njësitë e vetëqeverisjes vendore në shkallë kombëtare kanë mbledhur të ardhura në masën 14.9 miliardë lekë. Kjo shifër është rreth 2.3 miliardë lekë më pak, se vlera e të ardhurave të mbledhura gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2019.
Parë në këtë këndvështrim, ulja e efektshmërisë së mbledhjes së taksave nga pushteti vendor për vitin 2020, ka ardhur si pasojë e një situate të vështirë ekonomike të shkaktuar nga pandemia globale COVID-19, sipas Financave.
Në këtë drejtim, të ardhurat vendore janë ulur me rreth 13% në 8-mujorin e vitit 2020, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
/Burimi: INSTAT, MFE/GazetaReforma.com/