Nëse nuk do të vidheshin këto para, do të ndërtoheshin të paktën dy spitale të reja. Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë auditimeve në 6 mujorin e parë të vitit 2020 ka zbuluar shkelje në vlerë total prej 38,5 milionë euro dhe ka kërkuar masa për zhdëmtimin e rreth 17.5 milionë euro. Për këto dëme janë bërë 10 kallëzime penale ndaj zyrtarëve të lartë dhe drejtorëve përgjegjës.
Dëmi më i lartë vjen nga fusha e tatim taksave dhe në sektorin e doganave, të ndjekura nga abuzimet me shitjen, blerjen dhe dhënien me qira të pasurisë shtetërore, marrëveshjet hidrokarbure dhe kontratave koncensionare.
Tenderët
Këto shkelje financiare përgjithësisht i përkasin veprimtarisë ekonomiko-financiare për periudhën kohore 2018-2019 përcaktuar për çdo subjekt të kontrolluar.
Mangësitë i referohen zbatimit jo të saktë të kërkesave dhe detyrimeve ligjore nga entet publike që prokurojnë fondet përmes sistemit të prokurimit publik, fakt që lidhet edhe me kapacitetet njerëzore jo gjithmonë profesionale, që përfshihen në realizimin e këtij procesi. Dëmi ekonomik në fushën e prokurimeve publike konstatohet si shkelje në: përgatitjen e dokumentacionit të tenderit, hartimin e specifikimeve teknike dhe kritereve të vlerësimit; llogaritjen e vlerës së kontratës; respektimin e kufijve monetar/ përzgjedhjen e procedurës së prokurimit publik; paraqitjen dhe pranimin e ofertave; apo hapjen dhe shqyrtimin e ofertave të paraqitura në konkurrim.
Në këtë fushë KLSH kërkon që të përmirësohet ligji që për vlefshmërinë e procedurave të prokurimit të jenë jo më pak se dy operatorë ekonomik pjesëmarrës që plotësojnë kriteret e kualifikimit. Po ashtu, nisur nga numri i lartë i procedurave të prokurimit me një pjesëmarrës dhe fitues njëkohësisht, kërkohet të vendosen kufizime.
Në total, për periudhën janar -qershor 2020, vetëm nga auditimi i procedurave të prokurimit ka një dëm ekonomik në shumën 336,009 mijë lekë nga të cilat vlera 270,649 mijë lekë në procedurë prokurimi dhe vlera 65,360 mijë lekë gjatë zbatimit të kontratave dhe dorëzimit të punimeve.
Financat
Shkelje të disiplinës financiare, të gjetura nga KLSH në këto subjekte kanë pasur ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 2,276,488 mijë lekë, afërsisht nga e cila: 1,058,199 mijë lekë në fushën e të ardhurave, afërsisht 8,5 milionë euro; dhe 1,218,289 mijë lekë afërsisht 9,8 milionë euro, në fushën e shpenzimeve jo me eficiencë të fondeve si dhe shkelje të disiplinës buxhetore lidhur me likuidimin e shpenzimeve, keqmenaxhimin e fondeve të programuara apo mungesë kontrolli në realizimin e procedurave të prokurimit jo në përputhje me kuadrin ligjor.
Në total janë konstatuar shkelje në shumën 4,455,386 mijë lekë ose afërsisht 35,8 milionë euro.
/GazetaReforma.com/
.