Pas sulmeve të fundit terroriste në Francë dhe në Austri, niveli i sigurisë është rritur në disa vende evropiane, përfshirë edhe Shqipërinë.
RENEA, SHISH, Anti-terrori dhe detashmente e tjera të specializuara, janë mobilizuar duke kaluar protokollin e sigurisë nga të gjelbër, në portokolli, në gjendje gatishmërie.
Bëhet me dije se në ambientet publike, aeroporte dhe porte do të ketë prezencë të shërbimeve civile si dhe do të rritet numri i patrullimeve të shërbimeve me uniformë të policisë.
Këto masa do të jenë në fuqi deri në fund të vitit, për shkak edhe të festave që na presin në vijim, saktësisht 28-29 Nëntori dhe festat e fundvitit: Krishtlindjet dhe Viti i Ri. Masat në fjalë do të përfshijnë edhe shërbimet diplomatike në vendin tonë.
Nuk dihet përse janë marrë këto masa të menjëhershme, pasi zyrtarisht nuk ka ndonjë informacion për ndonjë akt terrorist në vendin tonë, por lindin dyshime pas vizitës së sotme në Kryeministri të ish-kreut të SHISH, Bahri Shaqirit, i cili tashmë ka rolin e Këshilltarit për Siguri Kombëtare të Presidentit Ilir Meta.
Gjatë një konference për media në Kryeministri, kryeministri Edi Rama i pyetur nga gazetarët se përse kishte vizituar institucionin Bahri Shaqiri, iu shmang pyetjes dhe u vendos dukshëm në siklet duke u përgjigjur vetëm me një klishe të sapomenduar spontanisht.
Gazetarja:
A mund të na tregoni pse Këshilltari për Sigurinë Kombëtare të Presidentit, Bahri Shaqiri erdhi pak më parë te Kryeministria?
Rama:
“Nuk habitem nga pyetja. Mund të ketë ardhur për punë të tjera. Vizita s’ka të bëjë me zyrën time.Pse unë jam roja i Kryeministrisë? Normalisht ka dhe marrëdhënie institucionale që vazhdojnë në nivelet e administratës”, është përgjigjur Rama sa për t’i shpëtuar pyetjes së drejtëpërdrejtë të gazetares.
Këto vizita të zyrtarëve të lartë të Sigurisë Kombëtare, sidomps fill pas sulmeve të fundit terroriste në evropë, si dhe shtimi i menjëhershëm i masave të sigurisë, lindin dyshime nëse institucionet operative kanë informacione më të detajuara në lidhje me ndonjë sulm të mundshëm terrorist edhe në vendin tonë. Gjithsesi kjo mbetet për tu parë në ditët dhe javët në vijim./GazetaReforma.com/