Mbrëmjen e djeshme një sulm terrorist tronditi Vjenën, ku si pasojë e sulmit me armë, mbetën të vrarë katër persona mes tyre dhe njëri prej autorëve të aktit terrorist, si dhe u plagosën 15 të tjerë.
Në mediat austriake u publikuan foto të njërit prej autorëve të sulmit, i cili u tha se ishte me origjinë shqiptare. U publikuan nëpër të gjithë mediat pamjet e 20-vjeçarit me origjinë nga Maqedonia e Veriut, Kujtim Fejzulahit duke ngjallur edhe shumë debate në rrjete sociale.
Mirëpo përfshirja e shqiptarëve në këtë sulm nuk ndalej aty. Pas kërkimit, rezultoi se edhe një prej viktimave ishte me origjinë shqiptare, nga Struga e Maqedonisë së Veriut, i identifikuar si Nexhip Vrenezi.
Sipas përditësimeve të mediave austriake, u mësua se në këtë ngjarje të rëndë ishin të përfshirë edhe 12 të dyshuar të tjerë, disa prej të cilëve shqiptarë nga Kosova.
Informacionet vinin edhe nga mediat austriake dhe policia e Vjenës, të cilët deklaruan se sulmi ishte i koordinuar në 6 vende të ndryshme ku u hap zjarr me armë në të njëjtën kohë.
Ndërkohë që vëmendjen totalisht e morën autori i ngjarjes së rëndë me origjinë shqiptare, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, disa heronj të heshtur, po ashtu shqiptarë, dhanë kontributin e tyre të çmuar nga ana tjetër, për shpëtimin e sa më shumë jetëve njerëzore nga ky sulm terrorist.
Bëhet fjalë për tre policë/e me origjinë shqiptare, të cilët rrezikuan jetët e tyre, për të shpëtuar sa më shumë qytetarë gjatë sulmit terrorist të mbrëmshëm në qendër të Vjenës.
Ishte ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Stublla-Haradinaj, ajo që e ka dhënë për herë të parë këtë lajm.
Gjatë një takimi me homologun e saj gjerman, Heikon Maas, Haradinaj tha se pjesë e forcave që ndaluan përshkallëzimin e sulmit terrorist tragjik në Vjenë, kanë qenë edhe tre shqiptarë.
“Kosova dënon njëzëri sulmet e natës së shkuar në Vjenë. Nuk do të jap komente mbi burime të pakonfirmuara, por do të doja të nënvijëzoja disa fakte të rëndësishme mbi atë çfarë ka ndodhur dje.
Tre prej efektivëve të policisë që iu përgjigjën sulmeve të mbrëmshme ishin shqiptarë, shtetas të Kosovës, të cilët jetojnë të mirë integruar në Vjenë dhe punojnë e luftojnë krahas qytetarëve austriakë për të mbrojtur vlerat dhe qëllimet që ne ndajmë me popullin austriak”, ka thënë ministrja Stublla-Haradinaj.
Por kush janë tre heronjtë e heshtur shqiptarë të policisë vjeneze?
Mësohet se një prej pjesëtarëve të forcave të rendit austriake, që u përball dje me terroristët, është edhe djali i dëshmorit nga Kumanova e Maqedonisë së Veriut, Nezir Demirit, Adem Demiri.
Po ashtu një tjetër efektive me forcat austriake, që mori pjesë në operacionin kundër sulmit terrorist, është Doruntina Miroci, mbesa e ambasadorit të Kosovës në Gjermani, Beqë Cufajt. Ndërkohë që ende nuk është bërë e ditur identiteti i policit tjetër me origjinë shqiptare.
Për protagonizmin e mbesës së tij në ndalimin e sulmit terrorist në Vjenë, ka reaguar edhe vet ambasadori, gazetari dhe shkrimtari, Beqë Cufaj.
Me anë të një postimi në rrjetin social twitter, Cufaj ka shkruar se ndihet krenar me mbesën e tij, e cila luftoi përkrah policisë austriake kundër sulmeve terroriste në Vjenë.
“Krenar me mbesën time Doruntina Miroci, e cila ka luftuar përkrah policisë austriake kundër sulmeve të tmerrshme terroriste në Vienë. Bashkë mund të qëndrojmë të fortë”, ka shkruar Cufaj në rrjetet sociale.
Edhe pse me vështirësi, si gjithmonë e mira triumfon mbi të keqen. Duke qenë se terrorizmi nuk ka kombësi, por ka thjesht vrasës, shqiptarët nuk duhet të ndihen fajtorë, por përkundrazi.
Nga ana tjetër e mira ka firmën e saj autoriale dhe u pa më së miri se si tre efektivët shqiptarë kontribuan në shpëtimin e sa më shumë jetëve në sulmin e djeshëm në Vjenë.
Gjithmonë e keqja është e keqe. Neve na mbetet vetëm ta dënojmë dhe të bëjmë gjithçka që kjo e keqe të mos futet mes nesh.
Nuk duhet të lejojmë që religjioni të shkërmoqet nga një mjet paqeje, në një armë vrastare lufte./GazetaReforma.com/
[iconpolls-cpt id=”79408″]