Edhe pse një vit elektoral dhe me krizën ekonomike që po thellohet prej pandemisë së koronavirusit, qeveria nuk parashikon asnjë lehtësim në detyrimet fiskale si për bizneset ashtu edhe për individët.
Asnjë masë ulëse nuk është parashikuar në projektbuxhetin e paraqitur nga Ministria e Financave, për vitin 2021, përkundrazi, qeveria ka vendosur si objektiv të saj grumbullimin e më shumë të ardhurave tatimore.
Po nga do të dalin këto para, dhe sa do të jetë barra e pagesës që do të rendojë mbi xhepat e bizneseve dhe qytetarëve?
Referuar të dhënave të projekt-buxhetit të vitit të ardhshëm, të ardhurat tatimore (taksat që paguajnë bizneset dhe individët) pritet që të jenë 437 miliardë lekë (3.3 miliardë euro) në vitin 2021, me një rritje prej 7% në krahasim me atë që planifikohet të mblidhet deri në fund të 2020-s.
Por nga do të dalin 7% më shumë të ardhura taksash dhe tatimesh?
TVSH, një taksë që në finale paguhet nga konsumatori, është zëri kryesor i buxhetit me 32% të të ardhurave tatimore. Akcizat, sërish një taksë mbi konsumin, janë zëri i dytë kryesor, me 11% të totalit.
Më pas, renditet tatimi mbi të ardhurat personale, me 10% të totalit, taksa nacionale dhe të tjera (8.8%), tatimi mbi fitimin (7.4%). Por për të gjitha këto taksa qeveria jo vetëm që nuk ka parashikuar lehtësim, por edhe taksën mbi pagën, ende e ka në diskutim.
TVSH-ja, 116 milionë euro më shumë
TVSH-ja është taksa që rëndon më shumë mbi xhepat e shqiptarëve, si të bizneseve por në fund edhe të të gjithë konsumatorëve, pasi janë këta të fundit ata që e paguajnë. Për këtë taksë, që është edhe kolona kryesore e grumbullimit të të ardhurave në buxhet, Shqipëria renditet sot si një vend që e ka më të lartën në rajon këtë taksë (kjo duke përllogaritur edhe të ardhurat për frymë).
Por ministria e Financave, ka programuar që për vitin 2021, të arkëtojë vetëm nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, plot 143.5 miliardë lekë. Kjo shumë është 9.7% më e lartë se plani në aktin normativ 2, por në raport me arkëtimet faktike të cilat po rezultojnë më të ulëta, rritja e të ardhurave nga TVSH-ja vitin që vjen do të jetë 15.4 miliardë lekë, ose 12% më shumë.
Pra nga xhepat e shqiptarëve për vitin 2021 (biznese dhe individë), do të dalin plot 12% TVSH më shumë, ose plot 15.4 miliardë lekë.
Burimet e rritjes së TVSH-së për vitin 2021 sipas MF-së, do të jenë rritja e importeve, rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, përmirësimi i administrimit të TVSH-së, lufta ndaj informalitetit dhe kontrolli i zinxhirit të transaksioneve ndërmjet operatorëve.
Tatimfitimi, 50 milionë euro më shumë
Ministria e Financave ka parashikuar rritje edhe për të ardhurat nga Tatimi mbi Fitimin, që sipas saj, pritet të arrijnë në 33 miliardë lekë gjatë vitit 2021, me një rritje 8.7%, mbi programin e këtij viti.
Por në raport me zhvillimet faktike të këtij viti, rritja e planifikuar e arkëtimeve të tatimit mbi fitimin, vitin që vjen do të jetë 19.2%, ose 5.3 miliardë lekë më shumë.
Sipas analizës së Ministrisë së Financave, rritja e arkëtimeve nga fitimet e bizneseve do të gjenerohet nga rikuperimi i ekonomisë, çka do reflektohet edhe në deklaratat e tatimpaguesve dhe në forcimin e kontrollit të deklaratave, bazuar në kriteret e riskut.
Akciza, 36 milionë euro më shumë
Të ardhurat nga “Akciza” vlerësohen të jenë 49 miliardë lekë, me një rritje prej 4.4 miliardë lekësh, ose 9.9% më shumë se pritshmëritë për vitin 2020 dhe 8.2% më shumë se sa plani në aktin normativ të këtij viti.
Sipas Ministrisë së Financave, faktorët kryesorë që do të ndikojnë në rritjen e parashikuar të të ardhurave nga akciza, lidhen me rritjen e importit të mallrave të fortë si karburante dhe cigare, si dhe forcimin e luftës kundër informalitetit, nëpërmjet kontrollit rigoroz të subjekteve të akcizës, si dhe disiplinimit të mëtejshëm të procedurave të përfitimit të përjashtimeve dhe rimbursimeve nga kjo taksë.
TAP, 38 milionë euro më shumë për 2021
Edhe të ardhurat nga “Tatimi mbi të Ardhurat Personale” parashikohen të shtohen në 41 miliardë lekë, me një rritje prej 4.7 miliardë lekësh, ose 12.9% më shumë se pritshmëritë për vitin 2020.
Në parashikimin e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale, janë marrë në konsideratë rritja ekonomike dhe impakti i saj në nivelin e pagës mesatare, si dhe rritja e numrit të të punësuarve në sektorin privat.
Kjo, bazuar në ecurinë e vitit 2019, si dhe incentivat për nxitjen e punësimit bazuar në paketën mbështetëse, për rritjen e punësimit Covid-19.
Të krahasuara me planin në aktin normativ 2, të ardhurat buxhetore nga TAP pësojnë rënie me 0.2%. Analiza e treguesve buxhetorë, sidomos në të ardhura, vështirësohet për shkak se realizimet faktike janë shumë më të ulëta se planet që ka miratuar Kuvendi i Shqipërisë.
Taksat Kombëtare, 30 milionë euro shtesë
Ministria e Financave, edhe për të ardhurat nga “Taksa Nacionale dhe të tjera”, ka parashikuar që për vitin 2021 të përfitojë 38 miliardë lekë, ose 11.2% lekë më shumë.
Financat bazohen në efektet e rritjes ekonomike dhe rritjes së taksës së qarkullimit të automjeteve, si rezultat i rritjes së sasive të karburantit që do të hidhen në treg.
Në raport me aktin “normativ 2”, ato janë gjithashtu 5.5% më të larta.
Të ardhurat nga “Taksa Doganore” në vitin 2021 vlerësohet të jenë 6,5 miliardë lekë, me rritje 284 milionë lekë krahasuar me vitin 2020.
Në programimin e të ardhurave, janë marrë në konsideratë efektet e rritjes së importeve të tatueshme, si dhe disa efekte minimale nga lëvizja e tarifave doganore.
Kontributet, rritja shkon me 43 milionë euro për 2021
Të ardhurat nga “Kontributet për Sigurime Shoqërore e Shëndetësore” në vitin 2021, parashikohet të rriten me +5.9%, ose +5.4 miliardë lekë krahasuar me të pritshmin e vitit 2020. Ndërsa në raport me aktin normativ në fuqi, 5.7%.
Të ardhurat gjithsej nga kontributet pritet të jenë 96.3 miliardë lekë, nga 90.9 miliardë lekë që do të arkëtohen në vitin 2020.
Rritja e programuar e të ardhurave mbështetet në rritjen e numrit të punëmarrësve, forcimin e administrimit nëpërmjet kontrollit të nivelit të pagës të deklaruar dhe deviacionit të saj nga paga reale.
Të ardhurat nga kontributet do të rriten edhe nga rritja e pagës minimale, e cila rrit kontributet e paguara për 28% të punëmarrësve, por nga ana tjetër rëndon mbi xhepat e sipërmarrjeve që janë zhytur në krizë që këtë vit prej pandemisë.
Por rritja e pagës minimale nga 26 mijë në 30 mijë lekë, ka një efekt vjetor në të ardhura me rreth 3 miliardë lekë.
Pushteti vendor, taksat do të rriten me 20 milionë euro më shumë
Qytetarët dhe bizneset do të përballen me rritje taksash vitin që vjen edhe në shërbimet bashkiake.
Sipas planit të qeverisë, pushteti vendor, duhet të gjenerojë 25.4 miliardë lekë të ardhura në vitin 2021. Kjo shumë planifikohet të jetë 2,3 miliardë lekë më e lartë se plani, në aktin normativ në fuqi të këtij viti, ose 10.3% më e lartë.
Për 8-mujorin e vitit 2020, njësitë e vetëqeverisjes vendore në shkallë kombëtare kanë mbledhur të ardhura në masën 14.9 miliardë lekë. Kjo shifër është rreth 2.3 miliardë lekë më pak, se vlera e të ardhurave të mbledhura gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2019.
Parë në këtë këndvështrim, ulja e efektshmërisë së mbledhjes së taksave nga pushteti vendor për vitin 2020, ka ardhur si pasojë e një situate të vështirë ekonomike të shkaktuar nga pandemia globale COVID-19, sipas Financave.
Në këtë drejtim, të ardhurat vendore janë ulur me rreth 13% në 8-mujorin e vitit 2020, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
/Burimi: Ministria e Financave/GazetaReforma.com/