Presidenti i vendit Ilir Meta ka publikuar dokumetet ku tregohet se edhe pas thirrjes së tretë drejtuar Avokaturës së Shtetit, për dhënien e informacionit ndaj Institucionit të Presidentit për çështjet në proces dhe vendimet e gjykatave të arbitrazhit ku shteti shqiptar është palë, ende nuk ka marrë një përgjigje.
“Asnjë përgjigje nuk ka ardhur nga ana e Avokaturës së Shtetit mbi këtë kërkesë. Janë bërë plot 3-muaj e 15 ditë pa asnjë përgjigje!
Me shkresën me nr. prot. 2391/1, datë 14.09.2020, Ju është kërkuar për herë të dytë përcjellja e informacionit të kërkuar 3 muaj më parë, mbi çështjet në proces dhe vendimet e gjykatave të arbitrazhit ku shteti shqiptar është palë.
Në këtë shkresë të dytë ju është lënë një afat 4-ditë pune për ta përcjellë informacionin e kërkuar. Sot bëhet plot 1 muaj e 15-ditë, pa asnjë përgjigje edhe për këtë shkresë të dytë!
Presidenti i Republikës nuk ka marrë ende një përgjigje zyrtare me të dhënat për çështje që kanë të bëjnë me detyrat e Avoakturës së Shtetit e që lidhen direkt me interesin publik dhe sigurinë e financave të vendit”, shkruan Meta në kërkesën për informacion.
Ndërkohë kujtojmë se para dy ditësh presidenti Meta i dërgoi një kërkesë të tretë për informacion Avokaturës së Shtetit, për këto pika:
-Numrin e çështjeve në proces pranë Gjykatave të Arbitrazhit, ku Republika e Shqipërisë është palë dhe të dhënat rreth tyre, përfshirë strukturën që ndjek këto çështje;
-Nëse për çështjet në proces në Gjykatat e Arbitrazhit janë kontraktuar shërbime të përfaqësimit dhe të konsulencës, përfshirë të dhënat mbi mënyrën e përzgjedhjes, kontraktimit, shpenzimet dhe pagesat e kryera për to, apo në pritje për t`u kryer;
-Numrin e çështjeve të fituara nga shtetit Shqiptar në Gjykatat e Arbitrazhit;
-Numrin e çështjeve të humbura në Gjykatat e Arbitrazhit, me të dhëna mbi:
i.Efektin financiar (detyrimin) për shtetin shqiptar sipas vendimit;
ii.Shpenzimet administrative për mbulimin e kostove të procesit, përfshirë shpenzimet për kontraktimin e shërbimeve të përfaqësimit dhe të konsulencës, si dhe mënyrën e përzgjedhjes dhe kontraktimit të tyre.
-Bazuar mbi çështjet e humbura në gjykatat e arbitrazhit ndërkombëtar, a ka referuar Avokatura e Shtetit deri më tani çështjet në organet përkatëse për nxjerrjen e përgjegjësive individuale administrative, civile dhe/ose penale për dëmin e shkaktuar ndaj interesave financiare të shtetit shqiptar, apo jo.
-Informacion të veçantë mbi lindjen dhe ecurinë e çështjes së Arbitrazhit ICSID nr. ARB/15/28 “Hydro dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, duke përfshirë edhe kopje të vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit, në gjuhën që është dhënë dhe përkthimin e tij zyrtar në gjuhën shqipe.
Në letrën drejtuar Avokaturës së Shtetit, Meta i bën thirrje “të reflektoni e të mos rëndoni edhe më shumë pozitën tuaj si Avokat i Përgjithshëm i Shtetit, duke bashkëpunuar në kryerjen e veprimeve që mund të klasifikohen si vepra penale me pasoja të rënda për vendin”.
Ai i vendos ultimatum Avokaturës së SHtetit që të japë informacionin e kërkuar deri më datë 02 nëntor 2020, ose në të kundër ai do të depozitojë padi për shpërdorim detyre.
“Nëse informacioni i kërkuar, shoqëruar me kopje të dokumentacionit të plotë, nuk depozitohet në Institucionin e Presidentit të Republikës brenda ditës së hënë, datë 02.11.2020, ju bëjmë me dije se,
-Institucioni i Presidentit të Republikës do të ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë për referimin e rastit të shpëdorimit të detyrës në organet ligjzbatuese, për secilin prej personave që me veprime apo mosveprime, është bërë pengesë për dhënien e këtij informacioni, dhe që po krijon edhe më shumë bindjen e arsyeshme të bazuar në prova dhe ligj se po bëhen përpjekje për të mbuluar veprime të tjera të dënueshme që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare për shtetin shqiptar”, vijon kërkesa e Metës.