Janë me dhjetëra për mos të thënë me qindra rastet vetëm në këto muajt e fundit që mediat publikojnë raste pa fund të abuzimit me tenderët publikë nga ana e Rilindjes, të cilat ua akordon ato oligarkëve dhe biznesmenëve pranë saj.
Kryesisht “llokmat” më të mëdha të këtyre tenderëve shumëmilionësh gëlojnë në infrastrukturë, shëndetësi, apo arsim, por nuk mbeten pas as sektorë si turizmi apo mjedisi.
Madje për këto të fundit në ministrinë e drejtuar nga Blendi Klosi, kohët e fundit kanë “valuar” tenderët, por po aq e rafinuar është bërë edhe mënyra për t’i përfituar ata.
Por duket se ai që “mbaron punët” në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit në lidhje me tenderët nuk është vet ministri, por drejtori i tij i besuar Zamir Dedej, cili në ambientet e kësaj ministrie është pagëzuar nga stafi me nofkën “dinozauri i tenderëve”.
E pikërisht ky dinozaur rezulton të jetë Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, por njëkohësisht edhe njeriu që firmos për çdo kalim paraje apo favori në emër të shefit të tij, me të cilin siç edhe flitet nga “gojët e liga” ndan pastaj “plaçkën” e bërë.
Drejtoria që drejton Dedej është në varësi të Ministrisë së Turizmit dhe të Mjedisit dhe vet Zamiri është emëruar aty që në shkurt të vitit 2015 dhe vazhdon ta mbajë me “sukses” këtë detyrë edhe sot pasi ka mësuar mjaftë mirë mekanizmin e qarkullimit të favoreve.
‘INCA’ thith paratë e mjedisit
“Gazeta Reforma” ka shkruar më herët se Dedej ka qenë edhe kryetar i një shoqate jo-qeveritare (OJF), të quajtur Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri ose shkurt “INCA”, për një periudhë kohore nga viti 2008 deri në janar të vitit 2015. Pra vetëm pak ditë përpara se të emërohej Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.
Por pasi ka bërë këtë lëvizje të mençur, Dedej rezulton se gjatë periudhës kohore 2015-2017, ka dhënë një seri tenderësh nga institucioni që drejtonte, tek shoqata “INCA”, në të cilën kishte qenë kryetar “me letra” deri një muaj para emërimit si drejtor.
Pra praktikisht, mjeshtri Dedej i ka dhënë tenderë shoqatës së tij, ose e thënë ndryshe, vetvetes. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për shuma modeste, por për vlera që kapin shumat e qindra mijëra eurove.
Kështu vetëm për këtë periudhe kohore të përmendur më lart, shoqata “INCA” ka përfituar nga institucionet shtetërore, një vlerë prej rreth 34 milionë lekësh (340 milionë të vjetra), nga të cilat vetëm nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, ka përfituar rreth 15 milionë lekë (150 milionë lekë të vjetra).
Mjaftojnë këto fakte të cilat janë publike kudo, që SPAK të ndërmarrë hetime në këtë çështje, të abuzimit flagrant me detyrën dhe funksionet e larta shtetërore për përfitime personale.
/GazetaReforma.com/