Në PD ka pasur manipulim të votave gjatë garës së shkuar për kryetar. Akuza vjen nga ish-nënkryetarja e kësaj partie Jozefina Topalli, në një intervistë Euronews. Topalli ka reaguar edhe ndaj kritikave për lëvizjen e re politike.
Duke folur për zgjedhjen e kryetarit të PD-së, ajo deklaron se “nuk kishte garë”, sepse “me video janë regjistruar manipulime të votave” dhe për këtë ajo nuk preferonte “të bëhej pjesë në një farsë”.
“Me pamje dhe me zë është regjistruar manipulimi i votave, nuk ia lejoj dot vetes përfshirjen në një garë që përfundon në një farsë,” – u shpreh Topalli përballë pyetjes se përse nuk u përfshi në garën për kreun e PD-së dhe ta ndryshonte partinë nga brenda.
“Edhe sot kam një ftesë, duke e lënë si shans apo dritare të hapur, nëse PD-ja do të kishte një udhëheqje të re dhe të pakorruptuar jam e sigurt se ajo do të fitonte zgjedhjet dhe nëse kjo do të kishte ndodhur më përpara qeveria Rama do të ishte rrëzuar, për të tjerat [kritikat] që ndodhin sot janë taktika të vjetra,” – tha Topalli.
Topalli deklaroi se nuk e ndërmori më parë nismën e saj të re politike pasi besonte se PD-ja do të reformohej.
“Prej shumë kohësh arsyeja se përse unë nuk kam ndërmarrë vendime ndryshe është sepse kam dashur shumë që Partia Demokratike të reformohej,” – u shpreh Topalli.
E vënë përballë kritikave që vijnë nga ish-partia e saj, e cila “i dha pushtet”, Topalli tha se lidhjet vazhdon t’i mbajë me elektoratin e djathtë, por jo me udhëheqjen aktuale.
“Nuk i ngatërroj demokratët me ca struktura apo me udhëheqjen e sotme të asaj që quhet opozitë, dyshoj shumë të jetë Parti Demokratike sepse të jetë e tillë duhet të ketë votën, debatin, tolerancën dhe vizionin perëndimor, kjo është ëndrra e 30 viteve më para dhe që nuk është më. Unë s’e ngatërroj parimin me siglën,” – tha ish-kryeparlamentarja.
/GazetaReforma.com/