Pandemia e koronavirusit, si të gjithë ekonomisë, u dha një goditje edhe bizneseve të bareve dhe restoranteve, karantina për të cilët zgjati pak më shumë. Por me rihapjen u vu re edhe një dyndje e njerëzve të cilët përsëri vërshuan dhe mbushën ambientet e “preferuara” për shqiptarët.
Mjafton një vëzhgim nëpër qendrën e kryeqytetit dhe baret, kafenetë dhe restorantet më pak duket qartë se kanë një masivizim frekuentimi, me gjithë krizën ekonomike.
Jo më kot Shqipëria konsiderohet si e para në Europë dhe ndër vendet me numrin më të lartë të bar-restoranteve në botë, në raport me popullsinë.
Por sot do të merremi me grup-moshat që shpenzojnë më shumë para dhe kohë për bare dhe restorante.
Dhe jo vetëm të rinjtë por edhe disa grup-mosha të tjera të popullatës shqiptarë janë klientë të rregullt të biznesit më të përhapur në Shqipëri.
Të rinjtë shpenzojnë më shumë
Grup moshat e reja nga deri në 34 vjeç shpenzojnë më shumë në hotele dhe në restorante, në raport me grup moshat e tjera të popullatës, që jetojnë në Shqipëri. Pas të rinjve shpenzimet më të larta për argëtim i ka grup mosha nga 55 – 64 vjeç.
Të dhënat zyrtare të INSTAT nga anketa e nivelit të jetesës, tregojnë se, gjatë vitit 2019 të rinjtë deri në moshën 24 vjeç, kishin shpenzimet më të larta për argëtim, me rreth 11% të shpenzimeve të tyre mujore.
Këto shpenzime erdhën në rritje në raport me një vit më parë, kur ishin 9.5%.
Grupi i tjetër i popullatës në moshë të re, 25-34 vjeç kishte shpenzimet më të larta për argëtim me rreth 6.4% të shpenzimeve të tyre mujore.
Mungesa e preokupimeve rrit shpenzimet për qejf
Sipas shpjegimeve të INSTAT-it, shpenzimet e larta të të rinjve për bare e restorante në raport me totalin, lidhen me faktin se, ato kanë një buxhet të ulët në dispozicion për të shpenzuar, që e shpenzojnë kryesisht për bare e restorante, teksa një pjesë tjetër e nevojave të grup-moshave të reja të tilla si, banesa, ushqimet etj., përballohen nga prindërit.
Por të rinjtë nuk shpenzojnë vetëm të ardhurat e tyre në kafe, por edhe kohën. Një studim i kryer nga fondacioni “Friedrich Ebert” në Tiranë, rezultoi se të rinjtë shqiptarë harxhojnë çdo ditë mesatarisht, 2.3 orë duke parë televizor, si dhe 3.9 orë online.
Kafenetë zënë një pjesë të konsiderueshme të jetës së të rinjve shqiptarë. Sipas studimit në fjalë, të publikuar së fundmi, gjysma e të rinjve të pyetur e kalojnë shpesh kohën e lirë, duke frekuentuar kafene dhe lokale, ndërkohë që 21% e bëjnë këtë me raste.
Shpenzimi i kohës së lirë nga të rinjtë është i rëndësishëm, sepse tregon elemente të tjera të jetës së tyre, si dhe të planeve për të ardhmen.
Të rriturit e fiksuar pas “argëtimit”
Grup-moshat e tjera nga 34-55 vjeç kanë shpenzime më të moderuara për argëtim, duke i dedikuar më pak se 5% të shpenzimeve mujore. Kjo lidhet edhe me faktin se, këto grup-mosha janë të angazhuar më shumë me detyrime familjare dhe rritjen e fëmijëve.
Kur familjet çlirohen nga detyrimet “financiare” prindërore mbi moshën 55 vjeç nisin të shpenzojnë më shumë për argëtim. Sipas INSTAT grup-mosha 55-64 vjeç shpenzoi në restorante dhe hotele 6% të buxhetit mujor për vitin 2019, me një rritje 1 pikë përqindje në raport me vitin 2018.
Sipas INSTAT, i cili publikon konsumin final të familjeve sipas grupeve kryesore, në 2018-n, viti i fundit kur janë në dispozicion të dhënat, shpenzimet totale për grupin e “bare- restorante e hotele” ishin 47.8 miliardë lekë, ose rreth 385 milionë euro, duke shënuar një nivel rekord dhe duke u rritur me 11% në raport me vitin e mëparshëm.
Sipas të dhënave të tjera të INSTAT numri i aktiviteteve që ofronin shërbim të pijeve arriti në 14,776 gjatë vitit 2018, duke u rritur me 4% në raport me një vit më parë, pas një rënieje në vitin e mëparshëm.
Në raport me popullsinë, Shqipëria numëron 518 bare për çdo 100 mijë banorë, duke kapur rekord jo vetëm në Europë, por edhe në botë. Ndërsa lë shumë pas vendet e Ballkanit Perëndimor.
Covid-19 dëmtoi rëndë biznesin e bareve dhe restoranteve, u shkurtuan me 22% personeli i tyre
/GazetaReforma.com/