Po na falimentojnë! Këtë deklaratë e kemi marrë nga shumë biznese sot, në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë. “Policia nuk i lejon klientët tanë të ndalojnë, madje edhe furnizuesit e kanë të vështirë të vijnë, pasi i mbysin në gjoba”,- thotë Astriti, pronar i një dyqani pajisjesh elektronike.
Denoncimi i biznesmenit
Ndërsa biznesmeni dhe publicisti Rezart Lahi, i cili drejton kompaninë e mjeteve të kancelarisë “Infiniti”, e vë gishtin tek qëllimi. Sipas tij aksionet me gjoba në këtë rrugë synojnë zhvendosjen e klientelës drejt qendrave tregtare.
Lahi deklaron se, nuk mund të lihet krejt pa parkim një rrugë tregtare.
“Kushedi sesa përpjekje mund t’i duhet një pushteti që të falimentojnë një rrugë tregtare si “Myslym Shyri”. Në fakt, edhe jashtë rrugët tregtare s’kanë parkim, por në fillim dhe në fund të saj bëhet një shesh-parkim mbi tokë apo nëntokë”, reagon me një postim në FB, Lahi.
“Qëllimi, që gjenerimi i lartë i lekëve të shkojë veç në qendra tregtare, nuk duket aq hyjnor dhe i pafajshëm. Në mos këto të parat, është i pamenduar mirë”, deklaron Lahi.
“E di që ca për të mos fajësuar pushtetin do ia lënë fajin qiradhënësve, por qiranë nuk e përcakton qiradhënësi, por kërkesë-oferta. Edhe pse qiratë kanë rënë në “Myslym Shyri” me mbi 30%, akoma shumë dyqane falimentojnë tashme, jo se kanë qiratë e larta, por se lëmshi i infrastrukturës i ka transferuar blerësit.
Pastaj pyet ai, sa taksa paguan, e di?”, shprehet Rezart Lahi.
Lahi e shoqëron denoncimin e tij edhe me foto të disa dyqaneve të asaj rruge që kanë falimentuar dhe tashmë janë mbyllur këto ditë.
Një qytetar e adhuron këtë rrugë për qetësinë dhe dyqanet cilësore. “Gjynah..në tërë botën ka rruge tipike të atilla, simbol i shoping cilësor special…edhe turizëm, edhe dy lek i lë ai që kalon aty…siç të japin kënaqësi këto rrugë për shëtitje e blerje s’të jep asnjëherë një qendër tregtare zhurmuese e verbuese nga dritat jo natyrale”, kështu e përshkruan qytetari pasojën që do të lërë ky aksion i policisë. Sipas tij qendrat tregtare nuk mund të zëvendësojnë tregtarët e kësaj rruge.
Duke mbështetur biznessmenin Lahaj, qytetari Arber Brahaj komenton:
“Ke shumë të drejtë. Ishte çdo gjë e pilotuar që kur të hapej parkingu shtesë i një qendre tregtare, të vihej korsia këtu. Unë e dija që në Janar. Ka korsi bulevardi “Zhan Dark” dhe Rruga e Kavajës , nuk kishte asnjë nevojë të bëhej këtu, përveç detyrës së Bashkisë të çojë klientët te vendi”.
Ndërsa Eralda Nikshiqi shprehet se “E trishtë, rruga që tamam të ofronte një eksperiencë. Për këto gjëra duhet të protestojnë njerëzit, jo për budallallëqe”.
Aksioni i policisë
Rrugoret e kryeqytetit, në një monitorim të dedikuar përgjatë 12 orëve, ndëshkojnë 120 automjete të pushuara në kundërshtim me dispozitat e Kodit Rrugor, në rrugën “Myslym Shyri”, e cila shërben si një arterie kryesore për lidhjen e unazës së mesme me unazën e vogël dhe qendrën e kryeqytetit.
“Duke qenë se rruga “Myslym Shyri” njihet si një nga rrugët më të rëndësishme për njësitë tregtare në kryeqytet, mbetet shqetësim i përditshëm parkimi i mjeteve në korsinë e lëvizjes, duke krijuar pengesa serioze në qarkullimin e mjeteve”, justifikohet policia.
“Duke konsideruar vështirësitë e lëvizjes, për shkak edhe të kantiereve të ndërtimit në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit, shqetësimet dhe problematikat që adresohen herë pas here nga qytetarët, në lidhje me parkimet e gabuara, kryesisht ato në rresht të dytë, Policia Rrugore e Tiranës ka nisur zbatimin e një plani veprimi”, njoftonte policia javën e kaluar.
/GazetaReforma.com/