Situata e sistemit shëndetësor në Shqipëri është në gjendje alarmante dhe nëse rastet e pacientëve me Covid do të shtohen, për shkak të mungesës së personeleve mjekësore, sistemi shëndetësor rrezikon kolapsin.
Duke qenë se Shqipëria i ka në nivelet nga më të lartat në rajon pacientët me sëmundjet rutinë, por edhe rastet me Covid-19 krahasuar me numrin e popullsisë, mjekët shqiptarë gjatë muajve të pandemisë kanë patur një presion të shumëfishtë.
Siç raporton edhe Ministria e Shëndetësisë në buletin ditor, numri zyrtar i rasteve të reja me Covid-19 po rritet çdo ditë e më shumë, e bashkë me to edhe shtrimet në dy spitalet Covid.
Sikur të mos mjaftojnë këto, me pagën më të ulët në rajon, mjekët shqiptarë kanë gjetur parajsën kryesisht në Gjermani, duke bërë që një nga degët më të kërkuara, siç është mjekësia, të braktiset.
Zëvendësdekani në Universitetin e Mjekësisë, mjeku Gent Stroni, ka thënë se në Spitalin Infektiv gjatë këtij viti kishte 15 kuota për specializantë të rinj, u mbush një kuotë prej 7 vetash dhe prej tyre vetëm 2 pranuan që të vazhdojnë këtë lloj specializimi.
“Studentët e mjekësisë dhe të infermierisë, dhe punonjësit e tjerë të shëndetësisë po e shikojnë zgjidhjen e jetës së tyre jashtë vendit dhe kjo është një fatkeqësi. Që të kthehet kjo në të mirën tonë, që ata ta shohin veten këtu duhet të ndryshojnë krejtësisht politikat”, është shprehur mjeku Stroni në një emision televiziv.
Ndër të tjera, Stroni theksoi fenomenin se Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për banorë në rajon.
Kujtojmë se sistemi shëndetësor publik prej vitesh vuan nga numri i pamjaftueshëm i profesionistëve. Sipas të dhënave nga Observatori Global i Shëndetit, Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për banorë në rajon.
Greqia ka 6.2 mjekë për 1000 banorë, Maqedonia 2.8, Mali i Zi 2.3, Serbia 2.4 dhe Bosnja 1.8 mjekë për 1000 banorë.
Ndërkohë që aktualisht janë 1.2 mjekë për 1000 banorë dhe raporti mami/infermierë është 3.6 për 1000 banorë, teksa edhe këto burime të pakta njerëzore në shëndetësi janë shpërndarë në mënyrë të pabarabartë.
Gjithashtu vlen të theksohet që sistemi shëndetësor aktual vuan nga një strukturë shëndetësore e vjetruar, me një raport të lartë dhe të kushtueshëm të kujdesit në pacient për kujdesin jashtë-pacientit.
Sakaq mos harrojmë se një prej gangrenave reale në Spitalet tona, janë edhe mungesa e pajisjeve në spitale, moskoordinimi midis pavijoneve dhe dhënia e rryshfetit në këmbim të trajtimit mjekësor.
Duke qenë se po shtohen rastet me Covid-19, dhe situata sa vjen e rëndohet, një prej pajisjeve më të rëndësishme që duhet për trajtimin e të sëmurëve rëndë me koronavirus, është ECMO, një pajisje e kujdesit intensiv, shumë e vlefshme për të shpëtuar jetët e pacientëve të intubuar.
Mirëpo edhe pse tashmë bëhen 7 muaj që vendi ndodhet nën “hyqmin” e Covid-19, kjo pasjsije ende nuk ka ardhur në vendin tonë.
Kjo pajisje kushton rreth 60-70 mijë euro dhe konsiderohet si pajisja e fundit e “mrekullive” në mjekësinë moderne.
Në anën tjetër edhe burokracitë er administratës spitalore, si dhe ryshfeti në këmbim të trajtimit mjekësor, lënë shumë për të dëshiruar.
Jo më larg se ditën e djeshme, kujtojmë një rast skandaloz i cili përfundoi me fatalitet dhe mund të quhet pa frikë si turpi i bluzave të bardha dhe përdhosja e “Betimit të Hipokratit”. Një qytetar nga Ndroqi, i moshës 53-vjeçare, ndërroi jetë vetm për shkak se mjekët e kishin sorollatur nëpër disa dyer spitalesh e pavijonesh, duke mos e marrur parasysh gjendjen e tij kronike shëndetësore.
Në një intervistë për një media, i ndjeri Lutfi Çekiri denoncoi me zërin e tij të fuqishëm se e kishin sorollatur dhe përzënë edhe në atë gjendje të rëndë shëndetësore.
“Më thanë shko këtu, shko atje, më përzunë…Shikoje, ata thonë çoje tek poliklinika e fshatit, ku ka fyqi ky, ky s’qëndron dot në këmbë, ka nevojë të shtrohet dhe për serume”, tregonte bashkëshortja e 53-vjeçarit të ndjerë.
Vdekja e Lutfi Çekirit për shkak të neglizhencës së mjekëve, është edhe fytyra e vërtetë e sistemit shëndetësor aktual shqiptar. Përtej propagandës qeveritare dhe Ministrisë së Shëndetësisë, sistemi shëndetësor është drejt kolapsit dhe drejt agonisë.
Duke qenë se sipas ekspertëve të shëndetit publik shqiptarëve do t’i duhet të presin disa muaj të vështirë në lidhje me covid-19, ka ardhur koha që përpara se të jetë shumë vonë qeveria të “zgjohet” dhe në vend që të propagandojë, t’i japë një “frymëmarrje” reale sistemit shëndetësor, duke e pajisur me mjetet e nevojshme, shtimin e personelit dhe hapësira të gatshme në raste emergjente./GazetaReforma.com/