Disa shoqata tregtare arabe kanë njoftuar për një bojkot të produkteve franceze, në përgjigje të komenteve të fundit të bëra nga presidenti francez Emmanuel Macron mbi Islamin.
Në fillim të këtij muaji, Macron u zotua të luftojë “separatizmin islamik”, për të cilin tha se po kërcënonte të merrte kontrollin në disa komunitete myslimane përreth Francës. Gjithashtu Macron tha se Islami është ‘në krizë’, duke nxitur kështu edhe reagimin e myslimanëve.
‘Ndaloni të na stigmatizoni’,- u shprehën myslimanët francezë për presidentin Macron, i cili tha se qeveria do të paraqiste një projekt-ligj në dhjetor për të forcuar një ligj të vitit 1905, që ndau zyrtarisht fenë dhe shtetin në Francë.
Në përgjigje të komenteve të tij të bëra për fenë islame, ka nisur një fushatë e mediave sociale që bëjnë thirrje për bojkotin e produkteve franceze nga supermarketet në vendet arabe dhe në Turqi.
Mediat ndërkombëtare shkruajnë se kryetari dhe anëtarët e bordit të drejtorëve të Shoqatës Bashkëpunuese Al-Naeem në Kuvajt vendosën të bojkotojnë të gjitha produktet franceze dhe t’i heqin ato nga raftet e supermarketeve.
Shoqata Dahiyat al-Thuhr ndërmori të njëjtin hap, duke thënë se, “Bazuar në pozicionin e presidentit francez Emmanuel Macron dhe mbështetjen e tij për karikaturat fyese kundër profetit tonë të dashur, ne vendosëm të heqim të gjitha produktet franceze nga tregu dhe degët deri në një njoftim tjetër.” Të njëjtin reagim kanë pasur edhe kompani të tjera arabe.
Universiteti i Katarit gjithashtu u bashkua me fushatën. Administrata e saj ka shtyrë një ngjarje të Javës Kulturore Franceze për një kohë të pacaktuar, për shkak të “abuzimit të qëllimshëm të Islamit dhe simboleve të tij”.
Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) i përshkroi deklaratat e Macron si “të papërgjegjshme” dhe tha se ato synojnë përhapjen e një kulture të urrejtjes midis popujve.
Në një deklaratë, ministria e jashtme e Kuvajtit u shpreh se është kundër mbështetjes së abuzimeve dhe politikave diskriminuese që lidhin Islamin me terrorizmin, duke thënë se ai “përfaqëson një falsifikim të realitetit, fyen mësimet e Islamit dhe fyen ndjenjat e muslimanëve në të gjithë botën”.