Liga Profesioniste e Futbollit u mblodh ditën e sotme për të vendosur në lidhje me fatin e sezonit të ri të Superiores e cila duhet të zbriste në fushë që më 12 shtator të këtij viti.
Ky takim erdhi pas deklartës që presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka bëri në lidhje me takimin që ai kishte zhvilluar me kryeministrin e vendit Edi Ramën dhe shqyrtimit të kërkesave që ai do të bënte.
Por edhe në takimin e ditës së sotme presidentët e klubeve dhe lideri i tyre Edvin Libohova nuk kanë dalë me një përgjigje për nisjen e ndeshjeve dhe mbarimin e bojkotit.
Në një deklaratë për mediat, Libohova tha se ai dhe presidentët e klubeve vendosën një afat të ri, por mbeten në pritje të një përgjigje nga qeveria deri ditën e enjte për të vendosur më pas se si do të vijohet, ndërkohë të premten është parashikuar edhe mbledhja e radhës:
“Presidentët e Ligës ri diskutuan edhe njëherë për situatën. Jemi në një situatë ku ne prisnim ditën e premte një përgjigje nga Ministria e Financave, që akoma nuk e kemi zyrtarisht. Duke parë sinjalet pozitive nga takimi i presidentit Duka me kryeministrin Rama, presidentët vendosën që ne do të presim deri ditën e enjte, nëse do të kemi një përgjigje nga qeveria. Më pas do mblidhemi për të vendosur për vazhdimin ose jo të bojkotit.
Po i lëmë një afat tjetër, për të pasur një përgjigje dhe më pas do mblidhemi për të marrë vendimin përfundimtar. Nuk e dimë pse ende nuk ka ardhur një përgjigje përfundimtar. Nuk ka një ngërç. Nëse nuk vjen deri ditën e enjte përgjigja, do mblidhet Liga ditën e premte dhe më pas do vendosim. Nuk kemi detaje se çfarë diskutoi Duka me Ramën, ishte pozitiv, por nuk kemi detaje. Ky bojkot nuk e rrezikon sezonin. Nuk është diskutuar asnjë formulë te re për kampionatin.”, u shpreh Libohova.
Liga Profesioniste e Futbollit në bashkëpunim me krerët e klubeve të Superiores kanë vendosur të bojkotojnë këtë sezon pasi duan që qeveria të plotësojë katër kërkesat e tyre.