Ndërkohë që muajt kalojnë, pasojat nga Covid-19 janë gjithmonë e më të dukshme dhe pasiguria sa vjen e shtohet.
Pandemia i ka bërë një goditje të rëndë ekonomisë shqiptare, e cila edhe pa pandeminë ishte ashtu e brishtë dhe jo e sigurtë.
Tashmë një gjë është pak por e sigurtë, ekonomia shqiptare nuk do të jetë më si më parë, dhe aktivitetet normale edhe të njerëzve dhe të bizneseve nuk do të jenë si më parë, të paktën për një afat të pacaktuar.
Të gjitha pritshmëritë për ecurinë ekonomike, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën janë zhvlerësuar.
Humbjet në vend, në raport me vitin e mëparshëm, por dhe në krahasim me rritjen që do të kishte pasur vendi nëse nuk do të ishte përballur me koronavirusit janë tepër të larta.
Sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave, përpara se të fillonte kriza e Covid-19, prodhimi i brendshëm bruto (PBB-vlera e mallrave dhe shërbimeve përfundimtare të krijuara nga ekonomia gjatë një periudhe kohe të caktuar) pritej që të arrinte në 2.4 trilionë lekë, pse gati 19 miliardë euro në vitin 2022. Financat prisnin mesatarisht një rritje ekonomike prej rreth 4% në vit.
Por, në relacionin e projektbuxhetit 2021, pritshmëritë për PBB-në në vitin 2022 tashmë janë zhvlerësuar në 14.5 miliardë euro.
Në vetëm tre vjet, 2020-2022, Covid-19 pritet të fshijë rreth 1 trilionë lekë, ose 8 miliardë euro të ardhura potenciale, që do të ishin krijuar nëse do të kishim pasur ecuri normale të ekonomisë (diferenca midis PBB-së së projektuar para krizës dhe pas krizës, përkatësisht për secilin vit).
Për vitin 2020, kur vlerësohet të ketë qenë kulmi i efekteve të Covid-19, ekonomia shqiptare pritet të tkurret nga -6.4%, sipas parashikimeve të qeverisë shqiptare, deri në -9% (nga banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim).
Fondi Monetar Ndërkombëtare pret që tkurrja të jetë -7.5% dhe banka Botërore në -8.4%. Cilado që të jetë rënie, kjo do të jetë tkurrja më e madhe e ekonomisë që nga viti 1997, kur vendi ra me më shumë sesa 10%.
Për vitin 2021, gjithnjë nëse nuk do të ketë mbyllje tjetër drastike, ekonomia pritet të rikuperohet me ngadalë, me rritje prej rreth 5-5.5%, sipas pritshmërive të qeverisë dhe institucioneve ndërkombëtare.
Sipas të gjitha gjasave, si rrjedhojë e rënies së fortë këtë vit dhe rikuperimit të ngadaltë vtin e ardhshëm, ekonomia pritet që të arrijë nivelin e para krizës (2019-s) vetëm në 2022-in.
Tkurrja e ekonomisë pritet që të ulë dhe të ardhurat për frymë, të cilat sipas parashikimeve të projektbuxhetit pritet të bien me 6% në 2020-n, (nga 586,400 lekë në 550,400 lekë).ose 36 mijë lekë (290 euro) më pak.
FMN është edhe më pesimiste. Sipas saj të ardhurat për frymë të shqiptarëve në 2020 pritet të ulen me 425 dollarë, ose me gati 8% në krahasim me vitin e mëparshëm
Në rajon, Shqipëria (-425 USD) dhe Mali i Zi (-892 USD) pritet të kenë rënien më të lartë të të ardhurave për frymë, për shkak të tkurrjes më të lartë ekonomike të parashikuar për këto vende, që janë të lidhura me turizmin.
Për maqedonasit, humbja do të jetë minimale (90 dollarë më pak) dhe për boshnjakët arrin në -253 dollarë për frymë më pak. Për shtetasit e Kosovës, humbja është -287 dollarë për frymë, me një rënie prej 6.5%.
Në rajon, shteti që ka qenë më rezistent ndaj krizës së Covid-19 është Serbia. Ky i fundit është ndër të paktët në botë, ku FMN parashikon që të ardhurat për frymë nuk do të bien, përkundrazi do të rriten lehtë, me 90 dollarë.
Burimi: Monitor Përshtati: GazetaReforma.com/