Presidenti Meta i ka kthyer Kuvendit mbrapsht me dekret Kodin Zgjedhor të miratuar së fundmi. Sipas tij, ndryshimet e bëra janë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe janë realizuar në mënyrë të njëanshme, pa konsensus
Ndër të tjera, në arsyet e kthimit të ligjit, meta thekson:
“Presidenti i Republikës, në ushtrim të kompetencave të parashikuara në nenin 85, pika 1, të Kushtetutës, shqyrtoi përmbajtjen e dispozitave të ligjit nr. 118/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”, dhe në përfundim të këtij shqyrtimi konstaton se këto ndërhyrje të njëanshme në Kodin Zgjedhor:
– Janë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe parimet themelore demokratike të mbrojtura prej saj;
– Këto ndryshime të rregullave zgjedhore, cenojnë parimet domokratike ndërkombëtare të realizimit të një procesit zgjedhor përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme;
– Ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë realizuar në mënyrë të njëanshme, pa konsensus gjithëpërfshirës dhe bien ndesh me frymën kushteve të vendosura nga Këshilli Europian në datë 25 Mars 2020 dhe plotësimin e 15-kushteve përpara zhvillimit të konferencës së parë ndërqeveritare;
– Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor dëmtojnë rëndë klimën e bashkëpunimit midis forcave politike në vend, duke zeruar praktikisht besimin reciprok midis tyre;
– Këto ndryshime të njëanshme në Kodin Zgjedhor janë në kundërshtim flagrant me parimet dhe standardet evropiane të vendosura nga Komisioni i Venecias në Kodin e Praktikave të Mira për
Çështjet Zgjedhore, si udhërrëfyesi i vetëm për vendet e Këshillit të Europës për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike, të lira e të ndershme;
– Ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor krijojnë një pozitë të pabarabartë, diskriminuese, duke rëndë ndesh si me Kushtetutën dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut;
– Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor të datës 5 Tetor, për shkak të pozitave diskriminuese që ato përmbajnë krijojnë një terren shumë polarizues në vend. Kjo pozitë rëndohet edhe më shumë para faktit që në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, çdo kundërshtim i këtyre dispozitave lidhur me antikushtetutshmërinë e tyre nuk mund të marrë së shpejti një përgjigje përfundimtare;
– Ndryshimet e njëanshme cenojnë kushtet e vendosura nga Bashkimi Europian, çka do të përkthehet me një tjetër vendim negativ për Shqipërinë, duke cenuar drejtpërdrejt ecurinë e procesit të integrimit europian të vendit”, theksohet ndër të tjera në arsyet e kthimit nga Presidenti.
/GazetaReforma.com/