“Rrugë, rrugë, rrugë…”, ishte refreni që përdorte dikur në mandatin e tij të parë kryeministri Edi Rama, kur donte të ironizonte paraardhësin e tij ish-kryeministrin Sali Berisha, për përqendrimin e investimeve të infrastruktura.
Por sot si për ironi të ironisë, edhe vet qeveria socialiste e Edi Ramës, ka parashikuar jo më për mandatin e tretë, por që në buxhetin e vitit të ardhshëm llokmën e luanit për infrastrukturën rrugore.
Milionat e eurove do të vërshojnë “lumë” që nga janari i vitit të ardhëm për kantiere, asfalt, beton e zhavorr, pavarësisht se vendi po kalon një emergjencë shëndetësore dhe një krizë të thellë, për shkak të pandemisë.
Edhe pse fondet buxhetore duhet të adresoheshin në nevojat emergjente bazike për përballimin e situatës së Covid-19, rritja e tyre edhe për vitin e ardhshëm ka shkuar më shumë për projekte infrastrukturore sesa për shëndetësinë.
Në projektligjin e buxhetit 2021, buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, që drejtohet nga ministrja Belinda Balluku (për të cilën vet kryeministri Rama tha se, është më e “zellshmja” nga shoqet), ka arritur në 49.3 miliardë lekë ose 4.2 miliardë lekë më shumë se në vitin 2020, duke e bërë kështu dikasterin me rritjen më të madhe.
Pjesa më e madhe e këtyre shpenzimeve të parashikuara për vitin e ardhshëm do të shkojnë për projekte rrugësh. Më konkretisht, parashikohet ndërtimi i aksit rrugor Kardhiq- Delvinë, rehabilitimin e segmentit “Pallati me Shigjeta-Rrethrrotullimi Shqiponja” si dhe ndërtimin e Unazës së Re të Tiranës. Por gjithashtu do të ketë edhe projekte të tjera po në këtë sektor.
Tre rrugët e reja nga Milot-Balldre, tek tuneli i Llogorasë .
Referuar tabelës së investimeve të cilat janë nën Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë rezulton se, i pari projekt i ri është ndërtimi i dhe operimi i rrugës Milot – Balldre.
Për këtë të fundit për vitin 2021, vlera që do të kalojë nga buxheti është zero por për shkak të formës që kanë kontratat do të jetë vetë kompania private (ANK) që do të kryejë investimet fillestare me fondet e veta.
Në tre vitet e para të nisjes së projekteve të kësaj natyre, si partneritet publike private, qeveria limiton fondet që u jep koncesionarëve ndërkohe që pas kryerjes së 25% të punimeve kjo politikë ndryshon.
Sa i takon supervizionit të punimeve për ndërtimin dhe operimin e rrugës Milot – Balldre, fondi në dispozicion për vitin 2021, është 50 milionë lekë ndërsa oponenca teknike pritet të marrë për vitin e ardhshëm 15 milionë lekë.
Vlera totale e kontratës për Milot-Balldre, sipas tabelës është 31.6 miliardë lekë.
E njëjta skemë duket se do të funksionojë edhe për një tjetër partneritet publik privat siç është kontrata e Koncesionit /PPP për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Porti i Jahteve – By Pass Orikum -Dukat (Ura e Shën Elizës).
Vlera e projektit në total llogaritet 9.9 miliardë lekë ndërkohë që për vitin 2021 nga buxheti nuk do të ketë pagesa. Edhe në këtë rast kompanisë “GJIKURIA” do t’i duhet që të kryejë investimet fillestare me fondet e saj dhe më pas në vitet 2022 dhe 2023 të marrë respektivisht 1 miliardë lekë dhe 959 milionë lekë.
Edhe për këtë projekt në draft buxhet janë parashikuar fonde për mbikëqyrjen e punimeve dhe oponencën teknike të kontratës.
Një tjetër projekt është edhe ai për ndërtimin e tunelit të Llogorasë. Për këtë të fundit qeveria ka parashikuar për vitin 2021 një fond 4 miliardë lekësh teksa kostoja totale e këtij projekti llogaritet pak më shumë se 18.7 miliardë lekë apo mbi 150 milionë euro. Tuneli pritet të mbarojë në fund të vitit 2023 vit kur është parashikuar edhe pjesa më e madhe e fondeve sipas projektbuxhetit.
Ky tunel do të ndërtohet me fondet e buxhetit sipas projektit dhe zgjidhjes teknike të dhënë nga kompania fituese. Kjo e fundit ishte bashkim operatorësh ku mes të tjerash “iC Consulenten Ziviltechniker GESmbh”, kompani inxhinierike e regjistruar në Austri, “ELEA iC d.o.o” dhe “IBE d.d svetovanje, projektiranje in inzeniring” – kompani inxhinerike regjistruar në Slloveni, dhe “SEED Consulting” sh.p.k. dhe “InfraKonsult” sh.p.k.
Tuneli i Llogarasë parashikohet të ketë një gjatësi prej afro 6 kilometrash, i cili nis nga ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit deri në urën e Palasës. Sipas llogaritjeve, duke kaluar përmes tunelit prej 6 km, me një shpejtësi 50-80 km/orë, do të bënte që kjo rrugë të përshkohej për 7- 10 minuta.
Nga projektet ekzistuese që do të zbatohen me fondet e buxhetit të shtetit janë projektet e Kardhiq Delvinë (1.3 miliardë lekë për 2021), Fushë Krujë-Milot Morinë (160 milionë lekë); rehabilitimi i Segmentit rrugor, mbikalimi te pallati me shigjeta (550 mln lekë); Unaza e re e Tiranës (150 mln lekë), Unaza Lindore loti 2 dhe 2 (320 mln lekë); Korçë -Ersekë (576 mln lekë) etj.
Nga projektet me koncesion do të vijojë “Rruga e Arbrit” me 3.9 miliardë lekë për 2021.
Në total, vlera e projekteve totale që po ndërtohen me koncesion është 90.8 miliardë lekë dhe atyre me fondet e buxhetit 103 miliardë lekë. Pjesa më e madhe e projekteve nga fondet e buxhetit pritet të përfundojnë në vitin 2023.
Vlera e 6 kontratave të reja me PPP
Qeveria ka planifikuar të aktivizojë vitin që vjen edhe 6 kontrata të reja koncesionare me Partneritet Publik-Privat me vlerë 217,5 miliardë lekë ose më shumë se 1,7 miliardë euro.
-Vlera më e madhe i takon koncesionit për segmentin Milot-Fier me një shumë prej 178 miliardë lekë.
-Projekti i dytë më i kushtueshëm është dhënia me koncesion e PPP e infrastrukturës së bazës së të dhënave dhe Mbikëqyrjes së Qendrave të Kontrollit Teknik të Mjeteve rrugore me vlerë 20 miliardë lekë.
Ku koncesion vjen pasi qeveria ka vendosur të liberalizojë tregun e kontrollit teknik të automjeteve, që deri në fund të dhjetorit do të kryhet nga kompania SGS Automotive Albania, pas zgjatjes së kontratës me 16 muaj.
Krahas liberalizimit të tregut, në ndryshimet ligjore të kryera në janar të këtij viti, parashikohet që qendrat e kontrollit teknik në territorin e Republikës së Shqipërisë duhet të mbikëqyren dhe kjo mbikëqyrje do të kryhet nga një subjekt i specializuar, që mund të jetë subjekt publik ose privat.
Ky koncesion nuk është shpallur ende zyrtarisht dhe nuk dihet se si do të funksionojë.
-Projekti i tretë është koncesioni i Aeroportit të Vlorës me vlerë prej 12 miliardë lekësh.
-Projekti i katërt është koncesioni i ‘Rritjes së Sigurisë Rrugore’ me vlerë 5 miliardë lekë.
-Projekti i pestë është “Shërbimi i infrastrukturës së çelësave publik PKI” me vlerë 208 milionë lekë.
-Projekti i gjashtë është “Përmirësimi i infrastrukturës rekreative në qytetin e Elbasanit” me vlerë prej 882 milionë lekë.
Projektet e reja që janë planifikuar të aktivizohen të jepen gjatë vitit që vjen janë kombinim i financimit publik me atë privat.
Milot-Fier dhe Aeroporti i Vlorës, ‘copa e luanit’
Dy kontratat e mëdha, ajo Milot-Fier dhe Aeroporti i Vlorës, do të jenë investime të partnerit publik-privat, pra PPP, teksa investimi dhe fitimi për investitorët do të merret nga pagesat që të aplikohen ndaj përdoruesve të rrugës.
Këto du projekte do të “gëlltisin” edhe pjesën më të madhe të investimeve të parashikuara nga Ministria e Infrastrukturës, duke përbërë atë që mund të konsiderohet si “llokma e luanit”.
Më 1 korrik, Ministria e Infrastrukturës e çeli garën për ndërtimin e segmentit Milot-Fier, pjesë e korridorit Adriatiko-Jonian me koncesion. Fituesi i garës do të paguajë pjesën e punimeve, të cilat do të jenë rreth 1,2 miliardë euro (pa TVSH).
Ndërsa qeveria do të garantojë deri në 10% të trafikut të munguar, një shumë e barabartë 121 milionë euro për koncesionin për 17 vitet e para të operimit, nga viti 2024 që parashikohet të jetë viti i parë deri në vitin 2040. Me gjithë TVSH dhe shpronësimet, kosto e koncesionit arrin mbi 1,7 miliardë euro.
Ndërsa për Aeroportin e Vlorës qeveria merr përsipër, për shkak të riskut të lartë të këtij projekti, që të garantojë të ardhurat e koncesionarit.
Sipas projektit, të ardhurat e garantuara në skenarin bazë për 10 vitet e para të operimit të jenë 9.6 milionë euro në vitin e katërt, 10.3 në vitin e pestë, 11.2 për të gjashtë , 12.1 për të shtatë e kështu me radhë me një kulmim prej 18.6 mln euro në vitin e trembëdhjetë nga nënshkrimi i kontratës. Në total të ardhurat e garantuara duhet te jenë rreth 138 milionë euro.
Projektet e mbetura
Gjatë vitit 2019 përfunduan pagesat për kontratën PPP “Ndërtimi, Operimi dhe Transferimi (BOT) HEC mbi lumin Devoll, rimbursimi i ndërtimit të rrugëve zëvendësuese ka përfunduar në vitin 2019.
Me gjithë kontratat e reja vlera e projekteve me koncesionin shkon në total në 838 miliardë lekë ose sa 49.8% e PBB së vitit 2021.
Po ashtu, fonde janë parashikuar edhe për nisjen e punimeve për Tunelin e Llogarasë, ndërtimin e By Pass-it të Shkodrës dhe atë të Tepelenës. Nga ana tjetër, duket se pagesat për kontratat koncesionare do t’i rikthehen normalitetit vitin e ardhshëm pas pezullimit të disa prej tyre këtë vit për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Sipas të dhënave të detajuara, qeveria do të paguajë rreth 14.4 miliardë lekë ose 120 milionë euro në 2021-in. pothuajse dyfish më shumë së në vitin aktual për 13 kontratat koncesionare aktive, ku pjesa më e madhe rreth 4.1 miliardë lekë do të shkojnë për rrugën e Arbrit.
Pjesë e investimeve janë edhe aksi Milot-Balldren dhe Porti i Jahteve – By Pass Orikum -Dukat, por nga buxheti nuk do të kalojë asnjë pagesë për to për shkak të formës së kontratës.
/GazetaReforma.com/