Ai njihej si krahu i djathtë i “Bandës së Lushnjës” dhe një prej më të besuarve të kapobandës Aldo Bare alias Alfred Shkurti, por që tani si edhe ky i fundit, po vuan dënimin me burgim me 25 vite.
Megjithatë, Enver Dondollakut, duket se do t’i “buzëqeshë fati” pasi me ndryshimet e reja në Kodin e Procedurës Penale, ai mund të përfitojë lehtësim të dënimit madje edhe lirinë.
Besniku i Albo Bares së Lushnjës është kthyer në dyert e Gjykatës së Elbasanit, për të parashtruar një kërkesë.
Mësohet se i dënuari me 25 vite burg, dënim të cilin po e vuan në burgun e Peqinit, për një sërë veprash penale, vrasje, tentativë vrasjeje, dëmtim prone e shpërthime me eksploziv, si anëtar i bandës së Lushnjës, synon uljen e viteve të dënimit deri në lirimin e tij të parakohshëm.
“Manovrat” ligjore të Dondollakut
Enver Dondollaku ka dorëzuar kërkesën në Gjykatën e Elbasanit, të cilës i ka kërkuar që t’i llogarisë ditët që ka qëndruar në paraburgimin e Torinos në Itali, teksa priste të ekstradohej drejt Shqipërisë.
Pasi mbaroi dënimin me 16 vite burg për trafik të lëndëve narkotike, Dondollaku priti deri në muajin dhjetor të vitit 2013, që të ekstradohej drejt Shqipërisë.
Pikërisht këtë periudhë, ai kërkon që drejtësia shqiptare t’ia njohë dhe t’ia konvertojë në ulje të dënimit që po vuan aktualisht në Shqipëri, prej 25 vitesh burg.
Gjykata e Elbasanit, e ka marrë kërkesën e besnikut të Aldo Bares dhe ka nisur me mbledhjen e informacioneve zyrtare.
Por mësohet se, drejtësia shqiptare ka dërguar një letër në Itali, ku kërkon informacion zyrtar nga drejtësia italiane, për të mësuar saktësisht se sa kohë ka qëndruar në paraburgim në Itali.
“Karriera” e Dondollakut
Enver Dondollaku, u vu në pranga në muajin maj të vitit 2006, me një tjetër identitet, pasi ishte shpallur në kërkim nga drejtësia italiane, për trafik të lëndëve narkotike.
Ai kishte me vete një dokument çek, me emrin Denis Chochlanov, por shenjat e gishtave zbuluan identitetin e tij të vërtetë, pra atë nga Shqipëria.
Dondollaku është dënuar si pjesë e “Bandës së Lushnjës” dhe akuzohet se është personi që vrau inspektorin e Policisë, Kleanti Banon, tentoi të vriste komisar Sinan Metën, dhe një sërë krimesh të tjera ende të paqartësuara.
Enver Dondollaku, akuzohet për vënie gjobash, shpërthime me tritol, trafik ndërkombëtar të drogës, prostitucion, vrasjen e disa prej rivalëve të Bandës së Lushnjës, si ekzekutimin e Nimet Zenelit, Xhevdet Demirit e Masar Aliut.
/GazetaReforma.com/